Osmani: Paramilitarë të lidhur me ‘Wagnerin’ u dërguan për të krijuar tensione në Kosovë

Prishtinë | 25 Jan 2023 | 09:55 | Nga Ekonomia Online

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Serbia udhëhiqet nga të njëjtit që ishin në shërbim të Millosheviqit në vitet 1990 dhe kanë të njëjtat pretendime territoriale si atëherë.

“Ata vetëm kanë ndryshuar strategjinë e tyre”, ka thënë presidentja në një intervistë për Corriere della Sera.

Duke folur për tensionet e fundit në veri, Osmani tha se atje u dërguan paraushtarakë të lidhur me formacionin privat ushtarak rus ‘Wagner’.

“Nuk mund të jap detaje se çfarë prova kam sepse janë informacione të klasifikuara. Por ne punojmë me aleatët tanë perëndimorë për të siguruar që këto paraushtarakë të lidhur me Wagnerin të dështojnë në planin e tyre për të destabilizuar Kosovën”, ka shtuar ajo.

E pyetur pse kriza në veri ndodhi në ato rrethana, ajo tha se për këtë ndikoi rritja e ndikimit rus në Serbi.

“Beogradi ka dhënë dritën jeshile për hapjen e të ashtuquajturave qendra humanitare ruse, të cilat sipas SHBA-së nuk janë gjë tjetër veçse qendra spiunazhi dhe e kanë shndërruar kufirin me Kosovën në një strehë për ata që janë nën sanksione evropiane. Arsyeja e dytë ka të bëjë me bandat e veriut të Kosovës të paguara, të mbështetura, të nxitura, të armatosura nga Vuçiq”, ka shtuar Osmani.

Të ngjashme