Osmani: Shkëmbimi i territoreve është skenar i çmendur, nuk u japim asnjë pëllëmbë toke atyre që bënë gjenocid në Ballkan

Prishtinë | 21 Jan 2023 | 11:58 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së fundmi ka dhënë një intervistë për një gazetë italiane “Il fatto quotidiano”, e cila u botua dje.

Në këtë intervistë presidentja Osmani, foli edhe për skenaret e mundshme të paqes.

Në pyetjen e gazetarit se cila duhet të jetë zgjidhja më e mirë që duhet të ndiqet për të zgjidhur çështjen e Kosovës,  Osmani ishte e qartë në përgjigje.

Sipas saj, ideja e shkëmbimit të territoreve, është një skenar i çmendur.

Presidentja tha shkurt se nuk do të jepet asnjë centimetër të territorit te ata që kryen krime në Ballkan.

“Asnjëherë shkëmbim territoresh, asnjëherë cedim i një cope të Kosovës te Serbia, këta janë skenarë të çmendur dhe të palogjikshëm. Nuk do t’u japim as një pëllëmbë tokë atyre që bënë gjenocid në Ballkan”, tha Osmani.

Osmani edhe gjatë fjalimit të saj vjetor në Kuvend, kishte folur për çështjen e shkëmbimit të territoreve, duke thënë se “Koha e tregtarëve të kufijve ka përfunduar”, duke aluduar kështu në ish-presidentin Hashim Thaçi.

“Koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar njëherë e përgjithmonë”, kishte thënë Osmani gjatë fjalimit të saj vjetor në Kuvend.

Të ngjashme