Osmani takon shefin e Zyrës së BE-së dhe ambasadorët e Francës, Italisë dhe Gjermanisë

Prishtinë | 21 Shk 2024 | 15:04 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ambasadorin e Francës në Kosovë, z. Olivier Guérot,  ambasadorin e Italisë, Antonello De Riu dhe zv.ambasadorin e Gjermanisë, Mathias Conrad me të cilët u diskutuan zhvillimet aktuale në fushën e politikës dhe atë të sigurisë.

Në këtë takim u diskutua lidhur me përgatitjet që po bëhen për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri të vendit, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Presidentja ritheksoi se e drejta për të kërkuar largimin e kryetarëve nëpërmjet nënshkrimeve është e drejtë që u takon qytetarëve dhe se tani pret që në KQZ të kryhen të gjitha procedurat e nevojshme në përputhje me ligjin dhe udhëzimin administrativ në fuqi.

Në takim me ambasadorët, Presidentja Osmani ka theksuar nevojën imediate të heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog, si dhe njëkohësisht theksoi se Kosova ka ndërmarr hapa konkret në përputhje me planin e dakorduar për këtë çështje. Heqja e masave, theksoi ajo, do të krijonte atmosferë shumë më pozitive për vazhdimin e dialogut parimor ku të dyja palët do të trajtoheshin të barabarta.

Ajo ritheksoi se Serbia nuk po përballet me përgjegjësi për nxitjen e sulmit ndaj ushtarëve të KFOR-it në maj e as për sulmin e agresionit kundër Kosovës në shtator të vitit të kaluar.

Kjo situatë, sipas saj, mund ta nxisë Serbinë që t`i shtojë veprimet destabilizuese në rajon.

Një pjesë e takimit iu kushtua edhe çështjes së zbatimit të Rregullores së BQK-së, me ç’rast Presidentja ritheksoi se është me rëndësi që nuk po kërkohet që kjo rregullore të shfuqizohet, por thjesht që të punohet në një plan tranzicioni për zbatim të saj e cila merr parasysh edhe shqetësimet e të gjithë qytetarëve që mund të afektohen nga një vendim i tillë. Duke ritheksuar rëndësinë e zbatimit të Kushtetutës në çdo cep të Kosovës, Presidentja ka shtuar se suksesi në këtë drejtim është i lidhur edhe me nivelin e bashkëpunimit me aleatët tanë të cilët kanë qenë gjithnjë mbështetësit më të fuqishëm të pavarësisë, sovranitetit dhe sigurisë së shtetit tonë.

Të ngjashme