Osmani: “Termokosi” është stabil me fuqinë punëtore, dëmet në infrastrukturë po i riparojmë

Prishtinë | 23 Gus 2023 | 08:35 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ngrohtorja e qytetit të Prishtinës, “Termokos”, është stabile sa i përket fuqisë punëtore, ka bërë të ditur për Ekonomia Online, kryeshefi i kësaj ndërmarrje, Fisnik Osmani.

Osmani ka thënë se janë duke investuar edhe në përgatitjen e stafit përmes trajnimeve.

Kryeshefi i “Termokosit”, ka folur edhe për dëmet infrastrukturore që po shkaktojnë në terren, për të cilat thotë se janë duke i riparuar.

Ai ka thënë se ndërmarrja që ai e drejton, nuk është përballur as me largim të punëtorëve, teksa shpreson që të mos ndodh as në të ardhmen.

Ndonëse e pranon që stafi është i mjaftueshëm, Osmani kërkon që të shtohen kuadrot profesionale. 

“Momentalisht ‘Termokosi’ ka një gjendje solide dhe stabile me fuqinë punëtore. Marrë parasysh se po vijnë projekte të reja të mëdha dhe teknologji të reja, është e natyrshme për shkak të kompleksitetit të funksionimit të këtyre teknologjive, neve na duhet staf më i avancuar, i cili do të jetë më i përgatitur dhe natyrisht kjo është proces dinamik që nuk përmbyllet me një akt. Ideja është që ne po investojmë edhe në pjesën e trajnimeve për stafin dhe jemi të interesuar dhe fokusuar që krahas implementimit të këtyre projekteve, të zhvillojmë edhe kapacitete të reja në Termokos përmes departamenteve aktuale të cilat i kemi”, ka thënë Osmani.

“Momentalisht nuk jemi keq, por a është e nevojshme që të kemi staf shtesë profesional të përgatitur, natyrisht se po edhe duhet të jem korrekt, merita kryesore e zhvillimit të hovshëm të ngrohtores gjatë gjithë kësaj periudhës së fundit, është një staf jashtëzakonisht i përgatitur”, u shpreh ai.

Osmani ka thënë se Ndërmarrja “Termokos”, nuk është përballur me largim të punëtorëve. E kjo sipas tij, falë stabilitetit financiar e kushteve të mira të punës.

“Fatbardhësisht jo, në ngrohtore nuk kemi pas situatë të tillë, urojmë që të mos ketë edhe në të ardhmen, për shkak se ne po i përkrahim dhe jemi të interesuar që t’u qëndrojmë afër. Pra kemi stabilitet financiar, kemi stabilitet social në kuptimin e kushteve për punë, si në terren e në administratë dhe jemi të vendosur që ta shtyjmë këtë format”, ka thënë Osmani për EO.

E bashkëpunim të mirë thotë Osmani se kanë me Komunën e Prishtinës, e cila është aksionare kryesore.

Ndërsa, ka deklaruar se dëmtimet që i bëjnë gjatë shtrimit të rrjetit të ngrohtores, po arrijnë t’i riparojnë.

Ndërkaq, falënderon qytetarët për durimin që u shkaktojnë gjatë punës në terren.

“Ne kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me Komunën e Prishtinës. Puna të cilën e bëjmë në terren është e lidhur komplet me komunën, me theks të veçantë me disa prej Drejtorive. Infrastruktura që ne e ndërtojmë, kërkon prishje të infrastrukturës ekzistuese për të cilën po kujdesemi që ta rikthejmë në gjendje të mëparshme. Dua t’i falënderoj qytetarët e Prishtinës, për shkak se kanë jashtëzakonisht bashkëpunues sepse puna të cilën ne e bëjmë, megjithatë e kërkon një durim prej tyre, për shkak se u shkakton problem në komunikacion, i dëmtojmë trotuaret e asfaltin, mirëpo po kujdesemi që t’i kthejmë në gjendje të mëparshme”, thotë Osmani.

Të ngjashme