Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka njoftuar për aktivitetet që ka ndërmarrë kundër, siç e cilëson kjo organizatë, padrejtësive që po zhvillohen në Gjykatën Speciale.
Përmes një njoftimi për opinionin publik, OVL-UÇK ka bërë të ditur se Kryesia e dalë nga Kuvendi i 5-të, i mbajtur në janar të vitit 2025, ka zhvilluar një sërë aktivitetesh dhe ka dërguar letra te institucione e personalitete ndërkombëtare dhe vendore.
“Siç e dini, Kryesia e OVL-UÇK-së, e dalë nga Kuvendi i 5-të, i mbajtur në janar të vitit 2025, ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh kundër padrejtësive që po zhvillohen në Gjykatën Speciale”, thuhet në njoftim.
Sipas OVL-UÇK-së, gjatë kësaj periudhe janë adresuar rreth 300 letra te personalitete të ndryshme ndërkombëtare, ndërsa 285 prej tyre u janë dërguar anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
“Janë adresuar rreth 300 letra personaliteteve të ndryshme ndërkombëtare, ndër të cilat 285 letra u janë adresuar anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, thuhet më tej.
Organizata ka bërë të ditur gjithashtu se ka zhvilluar takime me shumicën e ambasadorëve të vendeve mike të akredituar në Kosovë, si dhe me kryetarët e partive politike.
“Kemi takuar shumicën e ambasadorëve të vendeve mike që janë të akredituar në Kosovë.
Kemi takuar të gjithë kryetarët e partive politike në Kosovë, me përjashtim të kryetarit të LVV-së”, thuhet në njoftim.
OVL-UÇK ka renditur edhe takimet e zhvilluara me përfaqësues ndërkombëtarë, përfshirë Parlamentin e Zvicrës, Parlamentin Evropian, Vatikanin dhe Kryetaren e Veteranëve të SHBA-së, Carol Whitmore.
“Takim në Parlamentin e Zvicrës.
Takim në Parlamentin Evropian.
Takim në Vatikan.
Takim me Kryetaren e Veteranëve të SHBA-së, znj. Carol Whitmore”, thuhet në njoftim.
Sa i përket peticionit, OVL-UÇK ka bërë të ditur se janë mbledhur rreth 200 mijë nënshkrime, të cilat, sipas saj, janë dorëzuar në Gjykatën Speciale më 6 maj 2026.
“Është organizuar një peticion me rreth 200 mijë nënshkrime, i cili është dorëzuar në Gjykatën Speciale më 6 maj 2026”, thuhet në njoftim.
Organizata ka renditur edhe një varg protestash dhe aksionesh simbolike të zhvilluara në Kosovë dhe jashtë saj, duke përfshirë protesta në Prishtinë, Hagë, Tiranë, Strasburg dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe aksione në Prishtinë e protesta në Kroaci.
Në lidhje me aktivitetet e ardhshme, OVL-UÇK ka bërë të ditur se ka vendosur që veprimtarinë ta përqendrojë në rrafshin diplomatik dhe institucional, ndërsa do të marrë pjesë edhe në aktivitetet e tjera deri më 16 shtator.
“Duke qenë se në ditët në vijim janë bërë publike disa aktivitete me qëllim të sensibilizimit qytetar, si dhe protesta e radhës, e cila do të mbahet më 12 shtator, ne, si OVL-UÇK, kemi marrë sot, në mbledhjen e Kryesisë, vendim që aktivitetin tonë ta fokusojmë në rrafshin diplomatik dhe institucional. Po ashtu, do të jemi pjesëmarrës në aktivitetet e tjera që do të organizohen deri më 16 shtator”, thuhet në njoftim.
OVL-UÇK ka përsëritur qëndrimin e saj se Gjykata Speciale është, sipas saj, “gjykatë politike” dhe se proceset e saj janë të ndikuara politikisht.
“Ky vendim është marrë duke u bazuar në qëndrimin tonë të pandryshuar që nga themelimi i Gjykatës Speciale, pasi kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi të bindur se ajo është një gjykatë politike dhe se proceset e saj vazhdojnë të jenë të ndikuara politikisht. Për këtë arsye, duke pasur parasysh zhvillimet e fundit dhe mundësinë e një vendimi me karakter politik, ne do ta fokusojmë veprimtarinë tonë në rrafshin diplomatik dhe institucional”, thuhet në pikën e parë të vendimit.
Në të njëjtin njoftim, OVL-UÇK ka bërë të ditur edhe përjashtimin e njërit prej anëtarëve të saj, Skënder Llugiqit.
“Po ashtu, sot Kryesia ka marrë vendim, bazuar në Statutin e OVL-UÇK-së, për përjashtimin e anëtarit të kësaj organizate, Skënder Llugiqi. Ky vendim është marrë për shkak të deklaratave të tij publike kundër gjeneralit Ramush Haradinaj, të cilat, sipas vlerësimit të Kryesisë, përbëjnë shkelje të Statutit të OVL-UÇK-së”, thuhet në njoftim.