OVL-UÇK: Osman Selmani nuk figuron si veteran, Serbia po e lidh pa bazë me UÇK-në

Prishtinë | 03 Kor 2026 | 19:54 | Nga Ekonomia Online

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar pas arrestimit të Osman Selmanit nga autoritetet serbe, duke dënuar ndalimin e tij dhe duke mohuar se ai figuron në regjistrat e organizatës si veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në reagimin e saj, OVL-UÇK thotë se përpjekjet për ta lidhur Selmanin me UÇK-në janë të pabazuara.

“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dënon arrestimin e qytetarit të Kosovës, Osman Selmani, nga autoritetet serbe dhe hedh poshtë çdo përpjekje për ta lidhur këtë rast me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës pa bazë faktike apo ligjore”, thuhet në reagim.

Organizata thekson se, sipas regjistrave zyrtarë, Selmani nuk figuron si veteran i luftës.

“Regjistrat tanë zyrtarë janë të qartë: Osman Selmani nuk figuron në bazën e të dhënave të OVL-UÇK-së si veteran i UÇK-së. Lidhja e tij me UÇK-në është e pabazë dhe e motivuar politikisht, asgjë më tepër”, thuhet më tej.

OVL-UÇK u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të ndërmarrin veprime për mbrojtjen e Selmanit.

“Kërkojmë që institucionet e Kosovës të veprojnë pa vonesë. Çdo qytetar që u nënshtrohet këtyre procedurave ligjore të motivuara politikisht meriton mbrojtje të plotë konsullore dhe ligjore, dhe Republika e Kosovës ka edhe detyrimin për ta ofruar atë”, thotë tutje reagimi.

Të ngjashme