Pacolli: Jemi krenarë që vendet tona në Kuvend kanë shqetësuar Vuçiqin dhe aleatët e tij

Prishtinë | 24 Nën 2019 | 18:06 | Nga Ekonomia Online

Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli përmes një postimi në Facebook ka thënë se koalicioni Nisma-AKR-PD do të jetë pjesë e Kuvendit, e me këtë rast mbizotëroi ligji.

“Rinumërimi i votave të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit ka konfirmuar se koalicioni Nisma-AKR-PD është pjesë e Kuvendit të Kosovës. Përpjekjet për të manipuluar vullnetin e popullit të Kosovës janë kundërshtuar dhe mbizotëroi sundimi i ligjit”, ka shkruar ai.

Tutje Pacolli ka thënë se ndihen krenarë që vendet e tyre në Kuvend kanë shqetësuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe aleatët e tij.

“Ne do të përfaqësojmë në mënyrën më të mirë interesat e votuesve tanë dhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës për prosperitet ekonomik, sundim të ligjit dhe ruajtjen e miqësisë sonë me Perëndimin dhe Shtetet e Bashkuara në veçanti. Jemi krenarë që vendet tona në Kuvendin e Kosovës kanë shqetësuar Vuçiqin dhe aleatët e tij”, ka thënë Pacolli.

Të ngjashme