Pallaska komenton thirrjen për mbledhjen e nesërme të Qeverisë së Kosovës

Prishtinë | 25 Kor 2019 | 17:01 | Nga Ekonomia Online

Analisti politik, Dasdit Pallaska, përmes një postimi në Facebook ka komentuar thirrjen e mbledhjes së rregullt të Qeverisë së Kosovës e cila pritet të mbahet nesër në orën 14:00.

Ai ka shkruar se mbledhjet e Qeverisë në përbërje të plotë janë të panevojshme.

Postimi i plotë i Pallaskës:

Thirrja e mbledhjes nga Qeveria e dorëhequr – që duket se është përgjigje ndaj një përpjekje për të krijuar debat të panevojshëm – kërkon disa sqarime të shkurta kushtetuese dhe praktike.

Kushtetuta nuk e rregullon shprehimisht statusin e Qeverisë pas dorëheqjes së Kryeministrit apo votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.

Pavarësisht kësaj, efekti juridik-kushtetues në të dy rastet është i njejtë, Qeveria bie dhe kërkohet zgjedhja e Qeverisë së re nga Kuvendi.

I vetmi dallim konsiston në mënyrën e zgjedhjes së Qeverisë së re.

Në rastin e parë, kur Qeveria bie për shkak të dorëheqjes së Kryeministrit që nuk provokon zgjedhje të parakohshme në mënyrë automatike, Qeveria mund të zgjedhet nga Kuvendi aktual.

Ndërsa, në rastin e dytë, të votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit, zgjedhja e Qeverisë bëhet nga Kuvendi i ri që del nga zgjedhjet e parakohshme që shkaktohen automatikisht.

Si pasojë, funksioni i vetëm i Qeverisë së dorëhequr dhe/apo të shkarkuar deri në zgjedhjen e Qeverisë së re mbetet kujdesi formal ndaj institucioneve publike për të parandaluar vakum institucional.

Kjo është më se e kuptueshme duke marrë parasysh vonesat që zakonisht shoqërojnë procesin e zgjedhjes së Qeverisë.

Për këtë arsye dhe në mungesë të dispozitave eksplicite kushtetuese, kjo çështje duhet të analizohet dhe adresohet ekskluzivisht në rrafshin praktik.

Në këtë rrafsh, është më se e qartë se vendi ka nevojë për Qeveri kujdestare, qoftë ajo e dorëhequr apo e shkarkuar, deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.

Thënë këtë, është po aq e qartë se Qeveria kujdestare nuk ka mandat qeverisës dhe – për këtë arsye – gjatë kësaj periudhe kalimtare nuk mund të vazhdoj me zbatimin e planit të vet qeverisës.

Rrjedhimisht, mbledhjet e Qeverisë në përbërje të plotë janë të panevojshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme