Palmer në Shkup, takohet me zyrtarë të lartë shtetërorë dhe politikë

Prishtinë | 01 Gus 2018 | 16:04 | Nga

Matthew Palmer, zëvendësndihmës sekretar i Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë po takohet në Shkup me zyrtarë të lartë shtetërorë dhe politikë.

Qëllimi i vizitës së zyrtarit të Departamentit të Shtetit është për të shprehur mbështetjen e Uashingtonit për Marrëveshjen e Prespës me Greqinë për çështjen e emrit të Maqedonisë dhe për afrimin Maqedonisë drejt anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Zoti Palmer u prit nga presidenti Gjorge Ivanov, ndërsa pasdite takohet me kryetarin e partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski, me atë të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dhe me kryeministrin maqedonas Zoran Zaev.

Ai vjen në një kohë kur autoritetet qeveritare maqedonase po përpiqen të bindin qytetarët për pjesëmarrje në referendumin e 30 shtatorit ku duhet të zyrtarizohet ndryshimi i emrit të vendit në “Republika e Maqedonisë së Veriut”, ku kërkohet edhe mbështetja e opozitës maqedonase.

Zoti Mathew Palmer të enjten do të marrë pjesë në kremtimin e festës së Ilindenit në qytetzën e Krushevës, ndërkohë që do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë vendorë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme