Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e paraburgimit ndaj dy zyrtareve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Gylsen Jahiri dhe Fatma Shufta, duke u caktuar atyre masën e arrestit shtëpiak për një muaj, ndërsa shtetasit turk Dervis Keleci i është caktuar paraburgim. Aktvendimin e Gjykatës e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktvendimit, Gylsen Jahiri, zyrtare për pranimin e kërkesave për lejeqëndrim në Drejtorinë për Shtetësi, Azil dhe Migrim të MPB-së, dhe Fatma Shufta, zyrtare e lartë për financa në MPB, dyshohen se në cilësinë e personave zyrtarë kanë kryer në vazhdimësi veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Dervis Keleci dyshohet për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Gjykata ka vendosur që dy zyrtaret të qëndrojnë në arrest shtëpiak deri më 21 gusht 2026, ndërsa u janë konfiskuar edhe dokumentet e udhëtimit.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se veprat janë kryer në koordinim ndërmjet personave zyrtarë dhe një personi privat, me qëllim të sigurimit të dobisë pasurore. Në kërkesën për paraburgim thuhet se gjatë hetimeve janë siguruar deklarata dëshmitarësh, raporte të vëzhgimit, dokumente të sekuestruara dhe prova të mbledhura përmes masave të veçanta hetimore.
Gjithashtu, janë sekuestruar telefonat mobilë të të dyshuarve për ekzaminim forenzik, si dhe dokumente të tjera që do t’i nënshtrohen analizës gjatë vazhdimit të hetimeve.
Sipas Prokurorisë, Fatma Shufta në deklarimin e saj ka pranuar kryerjen e veprës penale, ndërsa Gylsen Jahiri dhe Dervis Keleci kanë shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.
Prokuroria kishte kërkuar paraburgim për të tre të dyshuarit, duke argumentuar se ekziston rreziku i arratisjes, ndikimit në dëshmitarë dhe prova, si dhe rreziku i përsëritjes së veprës penale.
Sipas prokurorit, hetimet ndodhen në fazën fillestare dhe të dyshuarit, nëse mbrohen në liri, mund të ndikojnë në dëshmitarë, të koordinojnë deklaratat ose të pengojnë zhvillimin e mëtejmë të procedurës penale.
Në seancë, avokati Ilir Tahiri, mbrojtës i Gylsen Jahirit, e kundërshtoi kërkesën për paraburgim, duke argumentuar se vetë ekzistimi i dyshimit të bazuar nuk mjafton për caktimin e masës më të rëndë dhe se Prokuroria nuk ka paraqitur rrethana konkrete që e bëjnë të domosdoshëm paraburgimin.
Tahiri tha se provat materiale tashmë janë administruar nga organet e hetimit dhe se klientja e tij nuk ka asnjë mundësi reale të ndikojë në dëshmitarë apo të tjetërsojë provat, duke i cilësuar pretendimet e Prokurorisë si hipotetike.
Ai propozoi që, në vend të paraburgimit, Gjykata të caktojë arrest shtëpiak, duke ofruar dorëzani prej 5 mijë eurosh, dorëzimin e pasaportës dhe të gjitha dokumenteve të udhëtimit, si garanci se Jahiri do t’i përgjigjet çdo ftese të organeve të drejtësisë.
Sipas Tahirit, një rrethanë me rëndësi të veçantë është edhe gjendja e rënduar shëndetësore e klientes së tij, për të cilën tha se paraburgimi do të ndikonte drejtpërdrejt në përkeqësimin e saj.
Ai u thirr edhe në parimin e proporcionalitetit, duke argumentuar se qëllimi i procedurës penale mund të arrihet me masa më të buta, ndërsa theksoi se Jahiri nuk ka rënë asnjëherë më parë ndesh me ligjin.
Gjykata nuk e aprovoi kërkesën e Prokurorisë për paraburgim ndaj Jahirit dhe Shuftës, duke vlerësuar se, edhe pse ekziston dyshim i bazuar dhe rrezik potencial për ndikim në procedurë, masa e paraburgimit është shumë e rëndë dhe se qëllimi i sigurimit të pranisë së tyre dhe mbarëvajtjes së procedurës mund të arrihet përmes arrestit shtëpiak.
Ndryshe, për Dervis Kelecin, Gjykata konstatoi se ekziston rrezik i arratisjes, ndikimit në dëshmitarë dhe përsëritjes së veprës penale, duke vlerësuar se asnjë masë më e butë nuk do të ishte e mjaftueshme. Për këtë arsye, ndaj tij u caktua paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji.