Paralajmërohet task forcë diplomatike kombëtare për forcimin e pozicionit të Kosovës në botë

Prishtinë | 24 Pri 2019 | 09:22 | Nga Ekonomia Online

Shqipëria ka paralajmëruar krijimin e një task force diplomatike për forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës, përkatësisht si kundërvënie fushatës së Serbisë nëpër botë për tërheqjen e njohjeve për pavarësinë e Kosovës.

Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, gjatë një interviste në Tv Klan, të mërkurën në mbrëmje tha se shumë shpejt do të ngrihet një Task Forcë Diplomatike për forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës.

Ministri në Detyrë Cakaj bëri të ditur se kjo Task Forcë vjen në kuadër të hapit të ndërmarrë nga Serbia për një fushatë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës nga vende që tashmë e kanë njohur apo që mund ta njohin në të ardhmen.

“Për ne është totalisht e papranueshme fushata e Serbisë për tërheqjen e njohjeve për Pavarësinë e Republikës së Kosovës. Prandaj Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë do të ngrejnë Task Forcë të veçantë për forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës me diplomatët më të mirë të Kosovës dhe Shqipërisë dhe do të procedojmë shumë shpejt dhe marrëveshje bilaterale që do bazohet në katër pika. Së pari, diplomatike, për krijimin e fondit për blerjen dhe menaxhimin e ambasadave për përdorim të përbashkët. Elementi dytë, do të jetë konsullor, ku hapen konsullata të përbashkëta si modeli i Barit, Milanos, Mynihut apo Kopenhagenit. Elementi tretë, do jetë profesional dhe i fundit, do jetë ai kulturor, me kalendar të përbashkët për promovimin e identitetit kombëtar”, tha Cakaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme