Paralajmëron ish-ministri: Kosova mund të zhytet edhe më thellë në krizë energjetike

Prishtinë | 25 Jan 2022 | 18:52 | Nga Ekonomia Online

Kosova jo vetëm që është në krizë të thellë energjetike, por situata mund të përkeqësohet nëse Qeveria e Kosovës nuk dinë të menaxhojë me situatën e cila ka përfshirë vendin.

Kështu po thotë në një intervistë ish-ministri i Energjetikës dhe Minierave Ethem Çeku.

“Kam frikë që po. Kosova po vazhdon me u zhytë edhe më thellë në krizë energjetike për arsye se nuk kemi kapacitete te reja gjeneruese. Kosova me 11 miliardë tonë linjit të eksploatueshëm që 20 vjet nuk u ndërtu asnjë bllok i ri i termocentraleve me lignit. Prandaj vendi ynë po do të ballafaqohet me një krizë të thellë në fushën e energjisë në qoftë se qeveria aktuale nuk din të menaxhon situatën me energji”, ka thënë ai, për FrontOnline.

E, deri sa dje në Kuvendin e Kosovës është diskutuar për këtë çështje, ku deputetët e opozitës ishin kundër çdo shtrenjtimi të çmimit të energjisë, kryeministri Kurti këtë po e jep vetëm si njërën prej alternativave të zgjidhjes së problemit.

Ish-ministri Çeku nuk po e sheh si zgjidhje shtrenjëtimin e energjisë elektrike.

Sipas tij, Qeveria duhet të ketë një strategji afatmesme e po ashtu edhe afatgjatë që të dilet nga kjo krizë.

“Kjo Qeveri duhet të bëjë një plan dhe të bëjë një strategji afatmesme dhe një afatgjatë për të dalë nga një krizë e rëndë që po vjen. Kjo që ka ndodhë me rënien e termocentralit Kosova B, me ngritjen e çmimit gjeneral në përgjithësi janë vetëm elemente të para të krizës me të cilën po ballafaqohemi dhe do të ballafaqohemi edhe tutje në sektorin e energjisë”, është shprehur Çeku.

Ish-ministri Çeku tregon faktorët që ndikuan që Kosova të hyjë në krizë energjetike

Ish-ministri i Energjetikës dhe Minierave Ethem Çeku, në një intervistë për FrontOnline ka treguar faktorët që kanë ndikuar që Kosova të jetë në krize energjetike.

Ai thotë se gabimi më i rëndë është ndërprerja e termocentralit Kosova C, e që sipas Çekut ky projekt do ta kthente energjinë si faktor zhvillues e jo vetëm furnizues.

“Moszhvillimi i projektit as Kosova e Re, e as Kosova C e solli një situatë që ne të varemi krejtësisht nga blloqet e Kosovës A që janë tërësisht të vjetra dhe nga blloqet e Kosovës C do të thotë nga blloqet që janë të viteve 60-ta dhe 70-ta. Ne ato blloqe nuk i rehabilitum, i rehabilitum pak në mënyrë sipërfaqësore , nuk investuam në sektorin e energjisë dhe tash ky sektor po na dënon. S’ka mesazh politik apo qëndrim politik që mundet me dominu mbi energjetikë, është gabim kur thuhet që ne kemi dashtë me i liru çmimet, jo ishin dhe janë orientime të gabuara”, ka treguar ai, për FrontOnline.

Cila është zgjidhja që të dilet nga kriza energjetike? Tregon ish-ministri Ethem Çeku

Nevojiten më së paku edhe pesë vite në mënyrë që të eliminohet problemi i energjisë në Kosovë.

Kështu thotë në një intervistë për FrontOnline, ish-ministri Ethem Çeku.

Ndërsa, tregon se cilat janë alternativat.

“Duhet të kryhet një studim i thellë te blloqet e Kosovës A, janë pesë blloqe, janë të dizajnuara për 800 megavat duhet të bëhet një studim mos t’i lëm deklarata politike, mos të bëhen lojëra në këtë drejtim, duhet të kryhet një studim i thellë , dhe në qoftë se studimi na jep që ato blloqe mund të bëjnë investim të madh dhe mund të kthehen në prodhues të mirë të energjisë të ndërpriten investimet kapitale në infrastrukturë apo dikund tjetër, të shtrëngohet buxheti i Kosovës dhe të derdhet një pjesë e buxhetit për të rehabilituar blloqet e Kosovës A”, tha ai.

Sipas tij, ekziston edhe një alternativë tjetër për të dalë nga kjo krizë, bashkëpunimi me Shqipërinë.

“Alternativë tjetër është ta shohim Shqipërinë. Investimet e përbashkëta me Shqipërinë në sektorin energjetik për arsye se edhe Shqipëria shpenzon mjete financiare për blerjen e energjisë edhe pse ata shpejtë do të lirohen nga ky problem sepse e kanë pranu gazin dhe mund ta zgjidhin problemin e kësaj çështje”, është shprehur ndër të tjera Çeku.

Çeku: S’është zgjidhje e problemit ngritja e çmimit të energjisë

Gjatë ditës së djeshme debat i “nxehtë”, është zhvilluar në Kuvendin e Kosovës pikërisht për çështjen e shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike.

E, kryeministri Kurti dje në Kuvend ka thënë se për zgjidhjen e problemit me energji elektrike janë tri opsione reduktimi përmes çkyqjeve nga rrjeti energjetik, mbulimi nga shteti përmes subvencioneve, dhe rritja e çmimit.

Po, rritjen e çmimit nuk po e sheh si zgjidhje ish-ministri i Energjetikës dhe Minierave, Ethem Çeku.

“Unë nuk e shoh se rritja e çmimit e zgjidh problemin sepse në treg mund ta paguash sado shtrenjtë po s’ke as energji . Unë nuk po mundem me kuptu, nuk ka në treg, edhe 500 euro shkoj megavati po s’ki treg por edhe me pas nuk ta shet”, tha ai.

Çeku ka edhe një këshillë për Qeverinë e Kosovës.

“Unë e këshilloj Qeverinë e Kosovës që të orientohet në politika afatgjate të zgjidhjes së problemit. E thash cilat janë politikat afatgjate. Ose duhet me bë rehabilitimin e thellë ose të përkohshëm në çoftë se ka edhe aso alternativa, por unë u besoj ekipeve të ekspertëve Qeveria duhet me marr një kompani çka janë pesë blloqet e Kosovës A, a lejojnë me investu, nëse jo ndërpriten investimet në sektorë të tjerë dhe të kthehen urgjentisht të investohet në blloqet e Kosovës A të cilat nëse kemi rehabilitimin e thellë nga studimet që unë i kam pa mund të kemi një rigjenerim rreth 800 e diçka megavat energji elektrike”, ka thënë ai për FrontOnline.

Ish-ministri Çeku flet për investimin e kompanisë “Bilfinger” , thotë se askush nuk investon gratis

Ditëve të fundit është raportuar se në vitin 2015 ish-qeverisja e Isa Mustafës, ka refuzuar investimin e një kompanie gjermane “Bilfinger”, e që sipas këtij projekti Kosova do ta zgjidhte problemin me energji për 30 vjetët e ardhshme.

Kjo çështje ishte temë debati edhe dje në Kuvendin e Kosovës.

E për këtë reagoi edhe ish-kryeministri Isa Mustafa, duke thënë se nuk është e vërtetë që është refuzuar investimi i kësaj kompanie, por se sipas tij kjo e fundit nuk kishte interesim të investojë në Kosovë dhe nuk u kishte ofruar asgjë përpos 15 ose 20 faqe dokument poëer point.

Por, çfarë thotë ish-ministri Ethem Çeku për këtë?

“E para asnjë investitor nuk vjen gratis në Kosovë, duhet ta heqim këtë logjikë që po vjen një investitor po investon në Kosovë dhe po e zgjedh problemin e qytetarëve të Kosovës, jo nuk ka… Unë jam takuar edhe më herët me investitorë ata e kanë profitin e vet, nëse nuk u kthejmë. Prandaj, unë nuk e besoj që ata kanë sjellë një projekt, unë e lexova edhe deklaratën e ish-kryeministrit Mustafa për zgjedhjen këtij problemi, prandaj këto gjëra duhet të ndërpriten”, ka pohuar Çeku në një intervistë për FrontOnline.

Sipas tij, asnjë investitor nuk investon në një vend ku vendimmarrja në politikë nuk është serioze.

Kjo pasi që sipas tij kjo është dokumentuar edhe me letër publike nga vet investitorët.

Ndryshe, nesër Kuvendi i Kosovës pritet të miratojë ose jo mocionin e partive opozitare kundër shtrenjtimit të rrymës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme