Pas BE-së, edhe IKD tregon se në Ligjin për Zyrtarët Publikë nuk u morën parasysh rekomandimet e tyre

Prishtinë | 23 Dhj 2022 | 11:30 | Nga Ekonomia Online

Ehad Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka treguar se edhe kjo organizatë ka dërguar rekomandime në lidhje me Projektiligjin për Zyrtarët Publikë, por nuk janë marrë parasysh nga Qeveria Kurti dhe partia shumicë në Kuvend.

Më herët edhe Zyra e Bashkimit Evropian reagoi në lidhje me këtë ligj, i cili u miratua dje nga Kuvendi i Kosovës, duke shprehur pakënaqësinë që komentet e tyre, që ligji të jetë në pajtim me direktivat e BE-së, nuk janë marrë për bazë.

“IKD ka dërguar komente si për Ligjin për Paga ashtu edhe për Ligjin për Zyrtarët Publikë. Komente, sygjerimet, rekomandimet pothuajse janë injoruar krejtësisht”, ka shkruar Miftaraj, në Facebook.

“Njëjtë kanë derguar komente edhe shume OJQ tjera dhe institucione të pavarura. Janë injoruar njëjtë”.

Miftaraj thotë se partitë opozitare, institucionet e pavarura e kanë obligim t’i dërgojnë këto dy ligje në Gjykatë Kushtetuese.

“Si përfundim, dy ligjet në pjesë të caktuara cenojnë sigurinë juridike dhe financiare të institucioneve të pavarura, dhe çka është shumë shqetësuese administratën publike e kthejnë nga një shërbim civil në shërbim politik”, ka shkruar ai.

“Partitë opozitare, institucionet e pavarura e kanë obligim t’i dërgojnë këto dy ligje në Gjykatë Kushtetuese. Politikëbërja dhe vendimmarrja duhet të bazohet në standardet minimale të pjesëmarrjes së publikut në konsultime publike të qytetarëve dhe grupeve të interesit”.

“Pjesëmarrja nuk konsiderohet se zbatohet në praktikë vetëm përmes dërgimit të komenteve dhe injorimit të tyre nga institucionet publike, pa përgjigje dhe arsyetim me shkrim pse nuk janë marr për bazë komentet”.

“Praktikë e keqe që duhet të ndalet”, ka theksuar Miftaraj.

Të ngjashme