Pas shtesës prej 150 eurosh për mjekët, reagon Oda e Infermierëve: Të mos anashkalohet stafi tjetër shëndetësor

Prishtinë | 24 Kor 2026 | 12:47 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar edhe këtë vit vendimin për vazhdimin e shtesës mujore prej 150 eurosh për mjekët që punojnë ekskluzivisht në sektorin publik shëndetësor.

Pas këtij vendimi ka reaguar Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë të Kosovës (OIK), e cila e ka mirëpritur vazhdimin e mbështetjes financiare për mjekët, por ka kërkuar që institucionet të marrin në konsideratë edhe profesionistët e tjerë të sistemit shëndetësor.

Në reagimin e saj, OIK thekson se çdo masë që synon përmirësimin e pozitës së profesionistëve shëndetësorë është e mirëseardhur, por rikujton se edhe më herët ka kërkuar që në vendimmarrjen institucionale të shqyrtohet përfshirja e infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë në skemat mbështetëse.

“Oda rikujton se ka kërkuar edhe më herët që në kuadër të vendimmarrjes institucionale të shqyrtohet përfshirja edhe e infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë”, thuhet në reagim.

OIK thekson se, ndonëse nuk është organizatë sindikale dhe nuk negocion për të drejtat financiare të punonjësve, ka obligim ligjor dhe profesional të përfaqësojë interesat e anëtarëve të saj dhe të promovojë trajtim të barabartë për të gjitha profesionet shëndetësore.

Në fund, Oda shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar me institucionet përgjegjëse dhe akterët relevantë për gjetjen e zgjidhjeve që mbështesin dhe motivojnë të gjithë profesionistët shëndetësorë.

Të ngjashme