PDK e LDK thonë se raporti i DASh-it konfirmon pretendimet e opozitës për nivelin e lartë të korrupsionit

Prishtinë | 23 Pri 2024 | 16:06 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), thonë për Ekonomia Online se Departamenti Amerikan i Shtetit, ka konfirmuar pretendimet e kahershme të opozitës për nivelin e lartë të korrupsionit në Qeverinë Kurti.

Nga PDK e LDK konsiderojnë se raporti është shqetësuese dhe i rëndë për Kosovën.  

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, thotë për Ekonomia Online se raporti i Departamentit të Shtetit e ka konfirmuar atë që opozita është duke e thënë tash e sa kohë. Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, Selmanaj e quan më të korruptuarën ndonjëherë në Kosovë.

Ai thotë se ky raport ka konfirmuar po ashtu se ka cenim të pavarësisë së gjyqësorit e kufizim të lirisë së shprehjes.

“Në fakt raporti i DASh-it e konfirmojë atë çka ne si opozitë e kemi thënë tash e disa vite. Ndërkohë e demantoj logjikën dhe narrativen e Qeverisë se kjo Qeveri kinse është me duar të pastërta, kinse nuk ka probleme me korrupsionin, kinse ka vendosur standarde të reja. Prandaj kjo për fatin e keq për Kosovën duhet të vjen raporte ndërkombëtare për ta konfirmuar që në Kosovë paska korrupsion serioz qeveritarë, paska cenim të pavarësisë së gjyqësorit, paska kufizim të lirisë së shprehjes. Unë mendoj që raporti është objektiv, shumë objektiv profesional dhe ka konfirmuar atë që ne e kemi thënë”, thotë Selmanaj.

Selmanaj konsideron se Qeveria Kurt ka afera korruptive e skandale edhe jashtë Kosovës, duke përmendur rastin e Martin Berishajt e Nagip Krasniqin.

Selmanaj thotë se Qeveria Kurti “bashkëjeton me korrupsionin dhe ka logjikë korruptive”.

“Nuk ka mundësi assesi të del raporti tjetër kur kjo qeveri po ballafaqohet tash ma haptazi edhe me afera edhe skandale ndoshta edhe përtej kufirit Ballkanik. Problemi ose të them afera me rastin e Martin Berishajt, rasti i korrupsionit në KEK me Nagip Krasniqin, rasti i rezervave shtetërore me atë nderuarin atje që kishte restorantin edhe se fundmi tash me faljen e borxheve me ambalazhuesit e ujit. Kjo tregon që këta jo që janë kundër korrupsionit, këta janë kundër që të tjerët të jenë të korruptuar. Por për veti jo, këta kanë dëshirë që të jenë të korruptuar deri në fyt, të vjedhin masivisht të bëjnë para masivisht ama të tjerët mos ta bëjnë këtë. Në momentin e parë kur këtyre ju erdh shansi, këta kërkojnë që  këta jo që janë rezistencë ndaj korrupsionit por këta bashkëjetojnë me korrupsionin, këta kanë logjikë korruptive”, u shpreh ai.

E ashpër në këtë drejtim është shprehur edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra.

Deputetja e PDK-së thotë për Ekonomia Online se vërejtjet e tilla i kanë shpërfaqur edhe si parti opozitare.

“Raporti flet për mungesën e kredibilitetit të institucioneve të qeverisë Kosovës për të adresuar vërejtjet cilat ne i kemi marrë edhe vitin e kaluar edhe ky raport për vitin 2023 i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi lirinë dhe të drejtat e njeriut flet që nuk ka pasur progres krahasuar me vitin paraprak. Në fakt krejt çka shohim ne sot shohim se raporti e thotë qartë se ka pas nivel të korrupsionit dhe po ashtu mungesë të ndëshkueshmerisë të zyrtareve qeverisë të cilët janë të përfshirë natyrisht në afera korruptive, flet për ndikimet në sistemin e drejtësisë të cilat i kemi parë jo rrallë flet për problemet  e theksuara me gjyqësorin  që janë adresuar tash e sa kohë dhe po ashtu theks të veçantë DASh-i e vë edhe dhunës  në familje, me theks dhunën me baza gjinore diçka që i adreson përsëri”, u shpreh Deliu-Kodra.

Deputetja e PDK-së ka shprehur shqetësimin edhe për deklaratat e zyrtarëve qeveritar për t’i “mbrojtur të korruptuarit”. Thotë se raporti i DASh-it është i rëndë për Kosovën.

“… në përgjithësi raporti flet për mungesë të kredibilitetit të Qeverisë Kurti për të dhënë përgjigje këtyre adresimeve të cilat i përcjellin Kosovën që disa vite, sfidë mbetet luftimi i korrupsionit, sfidë mbetet po ashtu mbrojtja e zyrtareve të Qeverisë në raport me personat e përfshirë në aferat korruptive. Kemi qenë dëshmitarë të deklaratave të cilat i kemi parë nga zyrtarët e Qeverisë së cilës njëzëri janë munduar që t’i japin mbrojtje personave të cilat kanë qenë të përfshirë në afera korruptive. Kemi qenë dëshmitarë të sulmeve të njëpasnjëshme që janë bërë në drejtim të institucioneve të pavarura të Republikës së Kosovës dhe shto këtu deklaratat e kryeministrit në raport me Gjykatën Kushtetuese por edhe institucionet tjera të drejtësisë. Ne nuk kemi pasur pritje që raporti të jetë ndryshe por raporti në përgjithësi është një raport i  rënd për Kosovën, dhe Kosova nuk mund të ndërtoj partneritet me Departamentin Amerikan të Shtetit (DASH) përderisa niveli i të drejtave dhe lirive të njeriut është i cenuar në gjitha dimensionet”, u shpreh tutje Deliu-Kodra.

Të ngjashme