PDK iku, la bosh drejtoritë: Kush janë pasardhësit fatlumë të LDK-së

Prishtinë | 25 Shk 2024 | 15:30 | Nga Ekonomia Online

Vendet e drejtorëve të PDK-së, që u tërhoq nga qeverisja me Prishtinën më 8 shkurt, nuk mbetën bosh gjatë, pasi u zëvendësuan me njerëz të LDK-së.

Në krye të Kulturës do të jetë Sibel Halimi, pozitë të cilën e mbante Arta Balaj. Me Sportin do të udhëheqë tani ish-kryeshefi i Ndërmarrjes Sport Marketing, Bardh Krasniqi, që pason Granit Rugovën, raporton “Ju Flet Prishtina”.

E Plator Gërdovcin e Drejtorisë së Bujqësisë, tani e zëvendëson Donjeta Dragusha.
Arsimin në kryeqytet do ta drejtojë Jehona Lushaku, e cila mban edhe pozitën e nënkryetares së komunës, njofton Klankosova.tv.

Nëse drejtorët e PDK-së u zëvendësuan, aksionarët e kësaj partie në Ndërmarrjet Publike nuk u pasuan me të rinjtë.

Në Vetëvendosje këmbëngulin se PDK-ja udhëheq edhe me ndërmarrjet publike si, kompanitë “Pastrimi” e “Gjelbër” e po ashtu edhe ndërmarrjen publike banesore dhe “Trafiku Urban”.

Asamblisti Mirsad Vitia, tha se pasi nuk është kërkuar shkarkimi e as dorëheqja e tyre, kanë dyshime se ka dakordim të fshehtë ndërmjet LDK dhe PDK, që në publik të paraqiten si të ndara, por në prapaskenë të qëndrojnë bashkë.
Një reagim rreth kësaj pati asamblisti i PDK-së, Leutrim Retkoceri. Ky tha se kjo parti i ka ndarë rrugët me ekzekutivin e Përparim Ramës, më 8 shkurt.

Të ngjashme