PDK kundër buxhetit të Isa Mustafës

Prishtinë | 31 Tet 2016 | 11:38 | Nga

Isa Mustafa ka para vetes një vendim të vështirë. Deri në mesditën e së hënës ai duhet të vendosë, ta qoj vendin në zgjedhje o ti paguaj veteranët siç e kërkon ligji.

Ky është kushti që partneri i koalicionit, PDK i ka dorëzuar në tavolinë kreut të ekzekutivit javën e kaluar.

Gazeta Fjala, mëson se propozimi i Ministrisë së Financave dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që në buxhetin e vitit 2017 të garantohet pagesa e veteranëve me zotimin se do të ndryshohet ligji vitin tjetër dhe të ulen shpenzimet për këtë kategori, nuk është pranuar nga PDK.

“FMN ka lëshuar pe për veteranët, por jo edhe partneri i koalicionit”, i ka thënë Gazetës Fjala, një zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës, pjesë e diskutimeve për buxhetin.

Të premten, pikërisht për këtë çështje është zhvilluar pa sukses, një takim mes kryeministrit, zëvendëskryeministrave, ministrit të financave dhe komisionit për buxhet, por nuk është arritur pajtueshmëri për këtë klauzolë.

Tensione brenda koalicionit për veteranët

Ndërkaq, diskutimi ka vazhduar mes krerëve të partive të pozitës, Isa Mustafa e Kadri Vesli, edhe pak orë para se buxheti të marrë dritën jeshile ose jo nga ekzekutivi.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Fjala, zëvendësministri i Financave, Isni Kilaj.

Ai ka thënë se nuk do ta përkrahin kufizimin e vënë në buxhet se veteranëve nuk duhet tu paguhen më shumë se 50 milionë euro.

“Në takimin e se premtes nuk kemi gjetur pajtim. Ministri i Financave ka thënë se është rekomandim i FMN-se që për veteranët në 2017 të jenë 50 milionë euro dhe kjo të parashihet edhe me ligjin për buxhetin. Ne kemi qenë kundër kësaj. Ne kemi thënë që nuk ka nevojë të këtë kufizim, por veteranët të paguhen ashtu qysh e parasheh ligji, duke mos e predikuar shumën”, ka thënë Kilaj, duke konfirmuar tensionet brenda koalicionit.

Ai ka thënë se kjo çështje ka mbetur të zgjidhet mes Veselit dhe Mustafës, “por nuk jam në dijeni se deri ku kanë shkuar bisedimet”.

Por, nuk është vetëm klauzola për veteranët që ka nxitur mospajtime mes PDK-së e LDK-së. I tërë buxheti është në njëfarë forme i pa pranueshëm për partinë e udhëhequr nga Kadri Veseli.

“Ne realisht kemi pas rezervat tona rreth buxheti, sepse është një buxhet i kredituar, nuk është buxhet real. Rritja kaq e madhe e buxhetit me huamarrje ka me rreziku buxhetin e vitit 2018. Ka me pas probleme në të ardhmen. Do ti ngarkonte edhe qytetarët në të ardhmen”, thotë Kilaj për Gazetën Fjala.

Mustafa nuk flet për veteranët

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa ka bërë të ditur se më 31 tetor Qeveria do të procedoj Projektligjin për buxhetin për vitin 2017, ku parashihen shpenzime prej 2 miliardë e një milion euro.

Të hyrat tatimore dhe jo-tatimore parashihen të jenë 1,725 milion euro, që janë më të mëdha për 91 milionë euro në krahasim me vitin 2016, ose për 380 milionë euro më shumë, në krahasim me fundin e vitit 2014, kur LDK-PDK filluan qeverisjen.

Sipas të parit të Qeverisë investimet kapitale parashihen të rriten nga 500 milionë euro sa ishin në vitin 2016 në 750 milionë në vitin 2017.

“Këto shpenzime përpos nga buxheti i Kosovës do të financohen edhe nga burimet e jashtme, nga huazimet e brendshme, nga klauzula e investimeve dhe nga mjetet e likuidimit. Këto të hyra do të planifikohen si mundësi e zhvillimit, ndërkaq fillimi i projekteve të caktuara do të ndodh në momentin kur lirohen, përkatësisht sigurohen mjetet sipas pozicioneve të caktuara”, ka shkruar Mustafa, në profilin tij në Facebook.

Ai nuk ka thënë asnjë fjalë për veteranët e telashet me partnerin në qeverisje.

Kryetari i Komisionit për Buxhet Dhe Financa, Naser Osmani javën e kaluar ka komentuar raportimet e fundit rreth përplasjeve eventuale ndërmjet koalicionit lidhur me çështjen e buxhetit për vitin 2017.

Deputeti i LDK-së thotë se nuk ka ndonjë përplasje të thellë me partinë e Kadri Veselit lidhur me çështjen e buxhetit, megjithatë ka shfaqur shpresë se kjo do të tejkalohet./Gazeta Fjala/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme