Dega e PDK-së në Prizren ka reaguar ndaj ditës së djeshme që ishte 1 qershori-dita e fëmijëve lidhur me kapitalizimin e projekteve të PDK-së të filluara pikërisht nga kjo parti.
Përmes një komunikate drejtuar medieve, sipas tyre, pamjet e servirura nga lidhja zingjirore pushtetare Kryeministër-Ministër dhe Kryetar të dështuar, dolën pa pikë turpi duke kapitalizuar projektet e PDK-së, të filluara qysh në vitin 2015.
Komunikata e plotë:
Ndodhi edhe kjo në Komunën e Prizrenit.
Dje në ditën ndërkombëtare të fëmijëve, pamjet e servirura nga lidhja zingjirore pushtetare Kryeministër-Ministër dhe Kryetar të dështuar, dolën pa pikë turpi duke kapitalizuar projektet e PDK-së, të filluara qysh në vitin 2015.
Sqarim për qytetarët e Prizrenit se projekti i çerdhes ‘’11 Marsi’’ bashkë me projektin e çerdhes ‘’Bajram Curri’’ kanë filluar para marrjes së mandatit të VV-së dhe Haskukës.
Në projektligjin e buxhetit për vitin 2017, janë ndarë mjete nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga IPA-2, ku kostoja finale ka qenë 1 milion e 800 mijë euro për ndërtimin e kopshteve, çerdheve publike në Prizren, për të cilën është arritur edhe një memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Arsimit dhe Komunës së Prizrenit në atë kohë të udhëhequr nga PDK.
Të dyja këto projekte kanë filluar së realizuari gjatë mandatit 2014-2018 të PDK-së, që i bie se përveç kapitalizimit të këtyre projekteve të PDK-së, z. Haskuka krejt çka ka premtuar për ndërtimin e çerdheve, kujdesin e shtuar ndaj edukimit të hershëm, janë vetëm premtime fushatash e asgjë tjetër më shumë.
Nëse z. Haskuka me eprorin e tij do të kishte vetëm një pikë ndërgjegjje, dje duhet të kërkonte falje të gjithë qytetarëve të Prizrenit, e në veçanti fëmijëve për dështimet e tij dhe mos realizimin e asnjë premtimi, e në veçanti ato të çerdheve publike, për të cilat kishte premtuar me shumë pompozitet se gjatë mandatit 4 vjeçar do të ndërtoj 4 çerdhe publike të fëmijëve, që do të kenë kosto të përballueshme për qytetarët.
Edhe tani në përfundim të mandatit ky mbetet vetëm një premtim, që u keqpërdor besimi i tyre politik, duke manipuluar qytetarët për të drejtën e tyre për edukimin e hershëm të fëmijëve të tyre, e drejtë fundamentale që i takon secilit fëmijë në një vend normal e demokratik.
Hipokrizia juaj, mungesa e kapaciteteve profesionale, skandalet e qeverisjes suaj, dështimet dhe shkatërrimin që i bëre qytetit, nuk mund të fshihesh pas prerjes së disa shiritave.
Qytetarët jo vetëm që e dijnë, por tanimë e kanë konstatuar se projektet e mira për Prizrenin, gjithmonë kanë filluar dhe janë realizuar nga qeverisja e PDK-së, si në nivelin lokal po ashtu edhe në atë qendror.