PDK thirrje Qeverisë të krijojë kushte për mbajtjen e seancave solemne të kryetarëve në veri

Prishtinë | 21 Maj 2023 | 15:03 | Nga Ekonomia Online

Sekretari organizativ i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi bëri të ditur sot se që disa ditë të dy kryetarët e komunave nga radhët e PDK-së, në Zveçan dhe në Zubin Potok po përballen me presion dhe nënçmim nga zyrtarë e segmente të Qeverisë, posaçërisht sipas tij, nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal.

Gjoshi shkroi se të dy komunat kanë thirrur seancat solemne për dhënien e betimit, por, sipas tij, ministri i Pushtetit Lokal dhe zyrtarë të kësaj ministrie, kanë ushtruar vazhdimisht presion për ndërrimin të datës dhe lokacionit për mbajtjen e seancave.

Ai i ka bërë thirrje Qeverisë që të krijojë kushtet e nevojshme, sa më parë, për mbajtjen e seancave solemne.

“Këto veprime të këtyre zyrtarve nuk janë të bazuara në asnjë arsye legjitime, të cilën, ne do ta respektonim pa asnjë problem. Madje, as shkresë zyrtare në lidhje me këto kërkesa nuk kemi pasur. Prandaj, i gjithë ky teatër, është një tendencë për nënvlerësuar dhe dekurajuar Kryetarët tanë, të zgjedhur në këto dy komuna. I bëjmë thirrje Qeverisë që të krijojë kushtet e nevojshme, sa më parë, për mbajtjen e seancave solemne. Mbi të gjitha, kërkojmë urgjentisht që ky presion, krejt i panevojshëm dhe jashtë çdo norme etike, të ndalet menjëherë. Dy Kryetarët nga radhët e PDK-së, të votuar për të udhëhequr komunat e Zveçanit dhe Zubin Potokut, janë të përkushtuar për të punuar në të mirë qytetarëve, pa dallim. Prandaj, çdo komunikim me ta, i ftojmë Qeverinë që ta bëjnë zyrtarisht dhe bashkëpunimi, sipas ligjit, nuk do të mungojë asnjëherë.”, shkroi Gjoshi në Facebook.

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në Mitrovicë të Veriut dhe në Leposaviq, ndërsa në Zveçan dhe Zubin Potok të parët kanë dalë kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të vendit janë mbajtur më 23 prill. Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 73.5% të votave në Leposaviq, Albulena Behluli-Hetemi e Partisë Demokratike të Kosovës ka marrë 25% të votave, ndërsa Aleksandër Jabllanoviq, i cili ishte tërhequr nga gara, ka marrë 1.05% të votave. E në Mitrovicë të Veriut, Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 66.9% të votave, i pasuar nga kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Taulant Kelmendi me 23.4% të votave dhe Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica me 9.7% të votave. Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ, në Zveçan, Ilir Peci i Partisë Demokratike të Kosovës ka marrë 59% të votave, Fetah Peci i Vetëvendosjes ka marrë 37.3% të votave ndërsa Sllagjana Pantoviq ka marrë 3.6%. Ndërsa, në Zubin Potok ka fituar PDK me kandidatin Izmir Zeqiri i cili ka marrë 52.2% të votave, ndërsa kandidati i Vetëvendosjes, Flatron Hasani ka marrë 47.7% të votave.

Të ngjashme