Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar themelimin e grupit punues i cili do të propozojë modalitetet e programit të pensionimit të parakohshëm në Policinë e Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla tha se grupi punues sot mbajti takimin e parë dhe do të organizojë konsultime, takime pune dhe sesione dëgjimore me strukturat organizative të Policisë së Kosovës në nivel qendror dhe lokal, me qëllim të identifikimit të sfidave operative dhe nevojave reale që ndërlidhen me pensionimin e parakohshëm.
“Në kuadër të kësaj analize, do të shqyrtohet mundësia e zbatimit gradual të programit, duke filluar nga mosha 63 vjeç dhe duke u ulur progresivisht deri në moshën 55 vjeç, në përputhje me kapacitetet financiare dhe nevojat institucionale. Ky proces synon të krijojë mundësi për një menaxhim më të mirë të burimeve njerëzore, të rrisë efikasitetin operacional dhe të kontribuojë drejtpërdrejt në forcimin e sigurisë publike në vendin tonë”, ka shkruar ai.