Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, ka organizuar panairin me shtetet anëtare të BE-së, në sheshin “Adem Jashari”, në kryeqytet, raporton Ekonomia Online.
Përfaqësuesit e ambasadave dhe organizatave ndërkombëtare në Kosovë kanë ofruar informata mbi studimet në Evropë, mundësitë e pjesëmarrjes në konferenca e trajnime të ndryshme, mundësitë për mësimin e gjuhëve të ndryshme evropiane si dhe informacione të tjera të vlefshme. Për muzikën është përkujdesur DJ Yll Megi.
Për nder të kësaj dite mbahen disa aktivitete:
Rinia Demokratike e Kosovës, sot, më 9 maj 2019, organizon një aktivitet simbolik, kushtuar Ditës së Evropës, në Sheshin “Nëna Terezë”.
“Demokracia Studentore” me rastin e Ditës së Evropës organizon ekspozitë me fotografi nga krimet serbe të kryera ndaj popullatës civile në Kosovë, duke theksuar kështu padrejtësinë që po i bëhet Kosovës me izolim nga BE-ja.
Në Ditën e Evropës, shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, ndan Çmimin e Evropianëve të Vitit.
Dita e Evropës, festohet më 9 maj një festim vjetor i paqes dhe bashkimit në Evropë.
Deklarata e 9 majit e vitit 1950 është koha kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që njihet si BE.
Vite më vonë, në Samitin e Milanos në 1985, krerët e BE-së vendosën që data 9 maj të shpallej dhe festohej si Dita e Evropës.