Për hair Bajrami (ty që sot je i trishtuar)

Prishtinë | 24 Maj 2020 | 17:21 | Nga Kimete Berisha
  • Ti që sot je trishtuar dhe ndjen zymtësi të madhe:
    herë ndjen se si vrerin nuk ta zë kupa, prandaj gjithmonë ke nevojë edhe për një kupë tjetër më të madhe;
    herë ndjen zbrazëti aq të madhe, thuajse nuk e ke asnjë organ brenda trupit tënd.

Dhe thuajse kupa jote e vogël e zë krejt botën në të, dhe prap ka vend edhe për një botë tjetër.

Ndodh e prek pulsin me dorë, për t’u siguruar a po ndodh ndonjë lëvizje brenda teje, a ka mbetur gjë brenda, apo janë arratisur të gjitha ndjenjat t’ua, e ke mbetur vetëm, se s’është e mundur ta ndjesh gjithë atë zbrazëti të pafundme, ta ndjesh trupin tënd si një gjithësi.

E prek pulsin, e pickon veten dhe e ndjen se diçka megjithatë rreh në ty, e lëviz brenda teje.

Si te kënga e fundit e Johnny Cash ‘I vrarë’, që artisti e kēndonte me zë të shterur, kur kishte më shumë trishtim sesa zë për ta shprehur trishtimin.

‘E lëndova veten sot;
Për ta parë a ndjej më;
Përqëndrohem te dhimbja;
Dhe e kuptoj se dhimbja ka mbetur e vetmja ndjenja ime e vërtetë’

Më e rënda është zbrazëtia (kur ndjehesh se si asgjë që ekziston, nuk ekziston për ty) sesa kur ndjehesh se çdo gjë (çdo kuptim) është tepruar.

Pikëllimi i tepërt, zbrazet si kupa e tejmbushur, dhe kur vërshon mërzia pa dal dikush që e nuk bën, ndërsa kupa e zbrazur nga të gjitha ndjenjat, nuk mbushet me asgjë.

Përveç me besim.
Me besimin te Zoti.

Të besossh verbërisht Zotin (pa e bërë asnjë pyetje) është Fati më i madh në Jetë.

Të agjërosh, të besosh, të ndjesh lumturi dhe prehje veç kur përmendet Zoti, është bekimi numër Një.

Kjo ndjenja e besimit, as nuk mësohet, as nuk përvetësohet, as nuk blehet, as nuk dhurohet, as nui trashëgohet.
Është thjesht ndjenjë.
Besimi nuk është ‘vendim’, është gjendje shpirtërore, është nevojë për mbijetesë, është ndjenja më e bukur.

Pa dashuri bën, pa gjithçka bën, pa besim nuk shkon jeta.
Se veç besimi e arsyeton ekzistencën, asgjë tjetër nuk ‘di’ ta arsyetoj ekzistencën tonë, përveç besimi te Zoti.

Por ndodh ndonjëherë, pa prit’ e pa kujtu’, të humb para syve ‘besimi’, si je më së miri, krejt papritur e humb çdo ‘kontakt’ me qiellin.
Ose qielli të humb ‘ty’.
Sigurisht Ti e humb e para kontaktin me ‘qiellin’ sepse Ti ke nevojë për Zotin, e jo Zoti për ty.

Prandaj, kushdo prej filozofëve që e ka ‘tipizuar’ Zotin me mend të njeriut (si të ishte Zoti ‘dikush’ që ka nevojë për adhurimin dhe duartrokitjet e njeriut), në fund është çmendur.

Çmenduria vjen nga pyetjet pa përgjigje. Nga nevoja për të ditur më shumë seç je i krijuar të dish. Si trupi që ka nevojë të çojë barrë më shumë se që ka takat.
Pyetiet janë armiqësore. I urrej, as nuk pyes e as nuk përgjigjem në to. Kush pyet-dyshon. Kur dyshon-shkatërrohesh, se asnjë përgjigje nuk e shëron dyshimin.

Nganjëherë fshehet diku ‘besimi’, si kur të ‘humb’ një send në shtëpi…nuk të ‘humb’ por fshehet diku, një send që e ke pasur në dorë në ato çaste, të ‘humb’ para duarve, nuk e sheh më.

Nuk e gjen, dhe thua ‘e lshoj toka’.
Kështu ndodh nganjëherë me ‘besimin’, thuajse ‘Zotin tënd e lshoi toka’. Aty e kishe, në zemër, në mendje, dhe për një çast, e ‘humb’!

Arkiva e kujtimeve të këshillon ‘mos e lyp sendin e humbur sepse ta ka fshehur qoftë largu’, vetvetiu e gjen kur nuk e lyp më.
Ashtu siç e gjen lumturinë në jetë, kur dorëzohesh dhe nuk e lyp më.

Ama unë pa Zotin s’mund të jetoj. Nuk di si ia bën ateisti! Jam mësuar me Zotin, shpirti im ushqehet me besim, jo me mendime e me dije. Shpirti nuk ka nevojë për mençuri, por për besim.

Prandaj, ndjehem e ‘humbur’ derisa ta rigjej ‘besimin’ që para disa ditëve s’di çka ndodhi, më ‘humbi’ para syve.
Apo e fsheha dikund me pakujdesinë time, dhe me vra Ai Zot nuk e di ku e ‘lash’.

E merr pyetësorin e mërzisë, e mbush me përgjigjet tua:
Ti ha me apetit, pi pa etje; fle me rregull.
Del se çdo gjë është në regull me ty.

Pra, unë nuk qenkam e dëshpëruar.
Qenkam mirë, se ushqehem mirë, flej mirë, bëj ushtrime, dhe dukem e lumtur.
Ani pra, pse çdo është mirë, duket mirë, e nuk ndjehesh mirë!
Mund të dukesh i lumtur e të mos jesh i lumtur. Sytë rrejnë.

Çfarë më mungon pra për të festuar!
Kush të mungon?
Nuk di.
Për kë më ka marrë malli?
Nuk di.
Malli im nuk ka trup, prandaj nuk po di ta përshkruaj.
Më e dhimbshme sesa me të marrë malli e m’u mallëngjy’ fort për dikë a diçka, është mos
me të marrë malli, mos me ndje asgja për askënd.

Është Limonti kjo, kur nuk të bë përshtypje as lumturia? Nuk e di.

Prandaj më ka marr malli për ZOTIN. Gjithqysh duhet ta ‘rigjej’ besimin, si fëmiu ‘lodrën’ e humbur.
E kam pas një kukull që s’e doja kurrë, prandaj e pata lënë gjithë natën në ujë, e në mëngjes pata mbetur pa të. A u mërzita? Jo atëherë. U mërzita me vonesë. Kam përtuar të ‘rritem’, prandaj shpeshherë më ka ndodh të dua dhe të mërzitem ‘me vonesë’.

Ndoshta ky ishte gabimi im i parë si vajzë e vogël.

Për hair Bajrami!
Lum Ju që keni agjëruar; Lum Ju që keni besuar; Lum ju që nuk bëni pyetje për Zotin tuaj; Lum edhe Ju që së paku përkohësisht ‘bëheni’ njerëz të mirë. Edhe më bukur se të agjërosh, është ta ndihmosh të pafatin ta gjej ‘besimin’ e humbur.

P.S. Ky shkrim u kushtohet njerëzve të largët, atyre që jetojnë larg teje (anipse ti kujton se i ke afër);

  • Atyre që kanë mall për shtëpinë ‘e parë’;
  • Atyre që i mërzit festa, sepse ua kujton vdekjen;
  • Atyre që s’kanë shokë;
  • Dhe atyre gjysheve të vetmuara dhe të harruara në fshatra të largëta, që me sy kah xhadeja, mashtrohen me një bahçe të vogël, mbjellin perime dhe habitej kur i shohin qepët e reja kah rriten sikur kur i mbjell dora e re;
  • Atyre që vuajnë nga nostalgjia e festave të vjetra të rinisë, kur shtëpisë i vinte era oriz dhe pulë e pjekur;
  • Atyre që kur kthehen në shtëpi, s’ka kush i pret;
  • Atyre që festa i ka ndarë;
  • Atyre që u qan shpirti pa asnjë arsye;
  • Atyre që janë dorëzuar dhe më nuk shpresojnë asgjē;
  • Ata që u mungon veç një ‘shenjë’ e vogël nga Zoti, se nuk i ka braktisur!
  • Ata që pyesin ‘Pse njerëzit e kqij kanë më shumë fat’;
  • Ata që s’e kuptojnë çfarë ‘gabimi’ kanë bërë apo çfarë ‘mallkimi’ i ka zënë që nuk bëhen ‘rehat’;
  • Ata që e shikojnë botën nga kozmosi si një pikë e bardhë në një fletore të zezë dhe kur e krahasojnë me Siriusin, binden se edhe Toka ndjehet ‘e vogël’ si Ti, në krahasim me Yjet e tjera, që anipse s’ka Jetë në to, bëjnë Dritë më shumë se Ti;
  • Për Ata që e krahasojnë botën e tyre të brendshme me botën e jashtme e fotot e njerëzve të lumtur;
  • Për Ata që nuk e dinë se më shumë ka yje në qiell sesa rërë në Tokë, që e dinë se yje ka miliarda herë më shumë se njerëz, dhe nuk është aspak privilegj me qenë një ‘yll’ i rremë në Tokën me miliarda yje të vërteta mbi ‘kokë’; Secili njëri në tokë është gati 1 milionë herë Yll. Prandaj, gjithkush është ‘dikushi’.
  • Ata që për vete nuk vishen me këmisha të bardha, por dalin sot në dritare dhe i shikojnë djemtë e veshur si burra, me këmisha të bardha, duke e gëzuar Zotin ‘pa pasur nevojë’ për të.
    Se vajzat për Bajram rrinë në shtëpi, me tabëll në dorë. Tek të nesërmen për vajza vjen Bajrami.

(Tjetër vetes nuk i kisha dasht veç mos me pas mundësi më komentu Ata, njerëzit e kënaqur, të përmbushur dhe të dalldisur, të cilëve absolutisht nuk u kushtohet ky shkrim).

Të ngjashme