Për pesë vjet u konfiskuan vetëm 3 milionë e 200 mijë euro të pasurisë së fituar me vepër penale

Prishtinë | 25 Jan 2019 | 13:24 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, së bashku me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë,  Nataliya Apostolova dhe Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi, kanë hapur punëtorinë për Ligjin e ri për Kompetencat e Zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale, mbështetur nga projektit i BE-së, raporton Ekonomia Online.

Aty ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se parlamenti i Kosovës, por edhe Qeveria nuk ka krijuar instrumente të mjaftueshme dhe bazë të mirë ligjore për të pasur sukses në një çështje të tillë.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që sot jemi në një ngjarje të tillë ku në kuadër të angazhimit tonë të përbashkët të agjendës  “Drejtësia 2020”, është një prej çështjeve më të rëndësishme e që ndërlidhem me konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale. Një ndër pikat më të dobëta të institucioneve tona që zbatojnë ligjin ka qenë konfiskimi i pasurisë, jo me fajin e tyre por pa dyshim që edhe qeveria edhe parlamenti i Kosovës nuk ka krijuar, instrumente të mjaftueshme dhe bazë të mirë ligjore për të pasur sukses në një çështje të tillë”, tha Tahiri.

Sipas tij, mënyra më e mirë për të dobësuar fuqinë kriminale si në politikë e biznes është tu konfiskohet pasuria.

“Kjo çështje ka qenë e adresuar edhe në rend dhe 3 raporte me radhë dhe pavarësisht së miratimit të ligjit në vitin 2013 ne nuk kemi pasë sukses në këtë proces. Unë si Ministër i drejtësisë prej që e kam marrë detyrën jam përcaktuar që agjenda ime të ribëjë nga të gjeturat për raportet për vendin. Një nga çështjet e para të cilën e kam adresuar, dhe kam kërkuar përkrahje, ka qenë ligji për kompetenca të zhvilluara për konfiskim të pasurisë. Kosova ka arritë ta ketë një bazë ligjore që hetuesve tanë iu jap kompetenca shtesë. Është bërë një avancim mjaftë i madh sa i përket barrës së provës dhe retro aktivitetit”, tha Tahiri.

Ai tha se pret që viti 2019-të të jetë vit i cili do jap rezultate shumë më të fuqishme se sa viteve më parë.

“Do të shohim se a do jetë viti 2019 që do shënojë një progres të fuqishëm me konfiskimin e aseteve të fituara me vepër penale. Mendoj që mënyra më e mirë për ta dobësuar fuqinë e grupeve kriminale si në politikë e biznes , është që të ua konfiskojmë pasurinë”, tha ai.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, tha se BE-ja ka ndihmuar në ligje që do i japin përshtypje tjetër Kosovës në krimet e organizuara.

“Dëshiroj të them që është kënaqësi të marr në këtë ngjarje pjesë, që shënon aprovimin e një pjese të legjislacionit që është ligji për kompetenca të zgjeruara në asete. Ju e dini që BE-ja e ka ndihmuar Kosovën me një pako të ligjeve e cila me ligjet që do i japin një përshtypje tjetër Kosovës sa i përket krimeve të organizuara. Kosova duhet të bëjë progres në konfiskimin e të ardhurave nga krimi . Ky legjislacion i ri është rishikuar nga ekspertë ndërkombëtarë në bashkëpunim të ngushtë me mekanizmin e rishikimit, dhe kjo konsiderohet si një nga ligjet më efektive sa i përket kthimit të të ardhurave nga krimi i organizuar. Kosova ka institucione të drejtësisë kriminale që janë të pajisur me njohuri të madhe për ta zbatuar këtë ligj”, tha Apostolova.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se ky ligj mundëson zhvillimin e hetimeve nga ana e prokurorëve për te verifikuar dhe hetuar konfiskimin e pasurisë pas ngritjes së aktakuzës gjatë shqyrtimit gjyqësor.

“Tema e sotme është me rëndësi tejet të madhe dhe besoj që ligji përkatës do jetë në funksion të zgjidhjes së një pjese të vështirë që ka pasur procesi gjyqësor, si dhe do jetë në përputhje me direktivën e parlamentit evropian mbi konfiskimin e mjeteve nga krimi i organizuar. Dispozitat e këtij ligji i mundësojnë gjykatës të  vazhdojë procedurën penale në raste të vdekjes, mungesës ose paaftësisë mendorë të të pandehurit ose palës së tretë. Këto përmirësime ligjore janë bërë pasi që është vërejtur që praktika e deritanishme nuk ka dhënë rezultate të prekshme”, tha Lumezi.

Ai tregoi se sipas urdhrave të prokurorit të shtetit janë ndërmarrë masa që kanë rezultuar me sekuestrim të pasurisë mbi 150 milionë euro në 5 vitet e fundit.

“Sipas urdhrave të prokurorit të shtetit janë ndërmarrë masa që kanë rezultuar me sekuestrim të pasurisë mbi 150 milionë euro në 5 vitet e fundit, ndërsa kemi pasur vetëm 3 milionë e 200 mijë euro pasuri të konfiskuar me vendime nga ana e gjykatave. Krahas dënimeve me burg duhet të nxirren edhe dënime plotësuese, për konfiskimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të kundërligjshme dhe me këtë të u dërgojmë një porosi grupeve kriminale se krimi nuk shpaguhet”, tha Lumezi.

Në ligjin e ri për Kompetencat e Zgjeruara është shtuar numri i veprave penale për të cilat vlen konfiskimi, është zgjeruar konfiskimi jo vetëm për të pandehurin por edhe për palët e treta nëse nuk janë blerës bona fide të asaj pasurie, si dhe është bërë sistem proporcional në dëshminë e barrës së provës.

Sipas ligjit të ri, prokurori duhet të dëshmojë se pasuria e listuar për verifikim është pasuri e të pandehurit, ndërsa i pandehuri duhet të dëshmojë se atë pasuri e ka përfituar me burime të ligjshme, për të cilat duhet të ofrojë prova, në të kundërtën, ajo konfiskohet nga Gjykata.

Të ngjashme