Për zgjedhje as nuk ka buxhet, as dekret presidencial

Prishtinë | 26 Gus 2019 | 08:09 | Nga Ekonomia Online

Mosdhënia e përgjigjes së Gjykatës Kushtetuese përkitazi me autorizimet që ka Qeveria në dorëheqje ka bllokuar mjetet që Ministria e Financave duhet t’ia ndajë Komisionit Qendror Zgjedhor për organizimin e zgjedhjeve.

As presidenti nuk e ka dekretuar ende shpërndarjen e Kuvendit, për të cilin deputetët votuan të enjten e kaluar, as nuk ka vendosur për datën e zgjedhjeve, shkruan sot Koha Ditore.

E, KQZ-ja, në mungesë të datës, zyrtarisht nuk ka adresuar kërkesën për buxhet, megjithëse në takimet me zyrtarë të Ministrisë së Financave e ka prezantuar shumën që u duhet për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Zyrtarë të dikasterit që menaxhon kuletën e shtetin, kanë thënë se janë në pritje të opinionit të Gjykatës Kushtetuese, para se t’i alokojnë mjetet për KQZ-në.

“Nuk ka logjikë me marrë vendim, përderisa jemi në pritje të opinionit nga Gjykata Kushtetuese. Besoj se javën e ardhshme për hir të interesit shtetëror, Gjykata Kushtetuese do ta lëshojë vendimin dhe të na ndihmojë si të veprojmë në këtë situatë. Megjithatë, ndarja e mjeteve nuk paraqet problem pasi ato janë në buxhet”, ka thënë Lulzim Rafuna, këshilltar i Ministrit të Financave, Bedri Hamza. Sipas tij, shuma e mjeteve të parapara për organizimin e zgjedhjeve është 5 milionë e 894 mijë e 730 euro.

Sipas Kushtetueses, nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat e të gjithë deputetëve, shpërndarja bëhet me dekret të presidentit të Republikës së Kosovës.

Të ngjashme