Pezullohet mjeku në Lipjan, deklaroi rrejshëm se nuk punonin aparaturat

Lipjan | 05 Shk 2022 | 20:23 | Nga Ekonomia Online

Mjeku i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Lipjan, Faruk Gashi, është pezulluar nga puna me vendim të autoriteteve lokale pasi ka deklaruar rrejshëm se disa aparatura ishin jashtë funksionit.

Gjatë ditës në media qarkulloi një video ku i njëjti nuk i ofroi shërbime një pacienti pikërisht me arsyetimin se nuk punon aparaturat mjekësore e që më pas u tha se ka ndërruar jetë, shkruan Ulpiana Press.

“Pas konstatimit nga Drejtori i QKMF-së dhe Shefi i Urgjencës në Lipjan se ekziston aparatura e nevojshme dhe EKG është në funksion si në QKMF ashtu edhe në Urgjencë, është suspenduar mjeku Faruk Gashi, mjek i përgjithshëm, për shkak të neglizhencës dhe papërgjegjësisë kur ai deklaron rrejshëm se EKG është jashtë funksionit”, thuhet në njoftimin e Komunës së Lipjanit.

Sipas Komunës, ky rast do të vazhdojë në procedura të rregullta ligjore.

“Askush nuk do të tolerohet që për arsyeje të neglizhencës, papërgjegjësisë ose arsyeje tjera të sillet papërgjegjshëm ndaj pacientëve”, përfundoi komunikata e Komunës së Lipjanit.

Të ngjashme