Pippa Middleton konfirmon se është shtatzënë

Prishtinë | 08 Qer 2018 | 15:21 | Nga

Pippa Middleton konfirmon se është në pritje të fëmijës së saj të parë me bashkëshortin James Matthews.

Motra e Dukeshës së Kembrixhit, e cila bëri bujë në mediet e huaja pas shfaqjes në dasmën e çiftit Kate Middleton-Princi William ku tërhoqi vëmendjen për hiret e saj, veçanërisht fundshpinën, njoftoi lajmin në rubrikën dedikuar fitnessit në revistën “Waitrose Weekend”.

Middleton, 34 vjeç, është shprehur se e kishte të pamundur ta mbante sekret këtë lajm. Ajo zbuloi gjithashtu se i ka kaluar muajt e parë të shtatzënisë pa problemet e zakonshme të një femre, siç i ka përjetuar edhe motra e saj më e madhe gjatë 3 shtatzënive të saj.

“Isha me fat t’i kaloja 12 javët e para pa vuajtur nga të vjellat e mëngjesit”, tha ajo. “Kjo gjë më bëri që të vijoja normalisht jetën dhe stërvitjen”.

Në artikullin me titull “Stërvitja gjatë shtatzënisë”, Pippa Middleton jep këshilla për vazhdimin e stërvitjes edhe gjatë shtatzënisë. “E kisha ndierë ndryshimin e trupit tim, por përmes ushtrimeve ndihesha edhe më e fortë”, shkruan ajo, teksa i siguron lexuesit se do t’i mbajë të përditësuar gjatë muajve të ardhshëm.

Middleton u martua me menaxherin e fondeve të investimit, James, në maj të vitit 2017, në një dasmë ku morën pjesë figura të njohura dhe pjesëtarë të familjes mbretërore britanike.

Spekulimet se Middleton u kishte treguar miqve të saj mbi shtatzënine nisën në muajin prill, vetëm pak pasi Dukesha e Kembrixhit solli në jetë fëmijën e tretë, Princin Louis.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme