PK arreston një inspektor të punës, fshehu lëndimin në punë të një punëtori

Prishtinë | 26 Qer 2023 | 19:57 | Nga Ekonomia Online

Hetuesit nga Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe të Korrupsionit, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë arrestuar (A. H; inspektor i punës në ministri) për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Policia njofton se hetuesit, në konsultim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë (Departamenti për Krime të Rënda), pas disa veprimeve hetimore, operative dhe taktike, kanë arritur të sigurojnë informata dhe prova për të dyshuarin.

Dyshohet se personi i lartcekur ka dalë në vendin e ngjarjes, gjegjësisht në një vend punishte të një kompanie, në të cilën vend-punishte ishte lënduar një punëtor i kësaj kompanie, duke marrë lëndime të rënda trupore dhe i njëjti (Inspektori i Punës A.H.) edhe pse ishte vënë në dijeni edhe nga hetuesit policorë se punëtori ishte lënduar në vendin e tij të punës, për çka kishte edhe dëshmi video-incizim dhe dëshmitar eventual, i dyshuari përkundër këtyre fakteve, përpilon “Raport Zyrtar” për Hetimin e Aksidentit, duke mos e paraqitur gjendjen faktike/reale në ketë raport, por ka potencuar se viktima ishte rrezuar në shtëpinë e tij, duke i bërë favor me këtë rast pronarit të kompanisë punë-kryese”.

Lidhur me rastin është kuptuar edhe nga dëshmitë relevante të siguruara përgjatë veprimeve hetimore se viktima nuk ka pasur fare kontratë të punës, por kontrata e punës për viktimën është proceduar në ATK një ditë pasi që ka ndodh aksidenti/lëndimi në punë i viktimës.

Mbi bazën e këtyre veprimeve është krijuar dyshimi se i dyshuari i lartcekur me inicialët (A. H.), dyshohet se ka kryer veprën penale:

• “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas kodit penal të RKS-së.

Andaj, në konsultim dhe koordinim me Prokurorin kompetent nga PTH – Prishtinë, sot me datë 26.06.2023, i dyshuari i lartcekur me iniciale është shoqëruar në polici, është intervistuar në cilësinë e personit të dyshuar në prezencën e Avokatit Mbrojtës dhe me Aktvendim mbi ndalimin nga Prokurori kujdestar dërgohet në mbajtje prej 48 orëve.

(Fotografia është nga arkivi)

Të ngjashme