Platforma për Dialogun dërgohet në Kryesi pa përkrahjen e Komisionit për Punë të Jashtme

Prishtinë | 25 Shk 2019 | 14:48 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Punë të Jashtme nuk ka votuar Platformën për dialogun mbi Marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Nga 9 deputetë 5 vota për dhe 4 që nuk morën pjesë në votim, kjo ka bë që Platforma të shkojë në Kryesi pa përkrahjen e komisionit, raporton Ekonomia Online.

Deputeti i PSD-së, njëherit anëtarë i delegacionit për dialog me Serbinë ka ftuar deputetët të përkrahin këtë platformë dhe si e tillë të votohet.

“Ju ftoj me përkrah dhe votuar ketë dokument. Qëllimi i adresimit tim është që të iu inkurajoj që këtë dokument ta shikoni si një përpjekje maksimale të ndërtimit të një qëndrimi të përbashkët”.

Kryetarja e komisionit, Vjosa Osmani renditi mangësitë që sipas saj ka platforma e dialogut derisa shtoi që kjo e fundit e cenon pavarësinë dhe territorin e vendit.

“Qysh në hyrje ky ekip që tenton te formohet pozicionohet. Delegacioni shtetëror pranon jo vetëm marrëveshjen e viti 2013 me të cilën është krijuar asociacioni i komunave serbe. Përderisa në pikën e parë thuhet se pranohet marrëveshja e parë e që në pikat e parë të saj ka themeluar asociacionin e komunave serbe”.

“Më vonë e keni se nuk do të ketë nivel lokal e qendror e nuk do të ketë qeverisëse të tretë. Ky dokument nuk e mbron territorin e Kosovës e as shtetësinë e pavarësinë e saj”.

Deputeti i VV-së, Glauk Konjufca tha se ndër kushtet e koalicionit mes partive në pushtet ka qenë që kryeministri Ramush Haradinaj të mos marr pjesë në dialog.

“Këtë proces të dialogut duhet ta vlerësojmë edhe në proces politik. Unë konsideroj që kurdo që bëhet një koalicion qeverisës caktohen kushtet. Unë mendoj që kusht i koalicionit qe Haradinaj të jetë kryeministër ka qenë të heq dorë nga dialogu, dhe kjo ka qenë kërkesë e Hashim Thaçit”.

“Në Kosovë ka pas një konsensus të brendshëm dhe të padiskutueshëm se qysh e shohim Kosovën, dhe presidenti që nga qershori ja ka dhënë një goditje  dhe që nga atëherë ne kemi ndarje”.

“Presidenti para disa ditëve tha se nëse nuk arrihet marrëveshja me Serbinë do të stabilizohet rajoni, është normale që të mos arrihet marrëveshja, por delegacioni duhet ta pyes presidentin se çfarë informata ka për destabilizim. Unë mendoj që kemi nevojë vetëm për platformën qysh me mund me ndal idenë e presidentit”.

Kurse deputetja e PDK-së, Evgjeni Thaçi ka pyetur Konjufcën se “A e ka njohur Vetëvendosja Kosovën?” pasi duan aq shumë ta mbrojnë derisa tha se është e dhimbshme se si Serbia ka arritur ta instalojë mendimin e saj tek disa deputet të vendit, raporton EO.

“Qysh po mundeni me qit vetën e me u mundu me menduar si Serbia. Asnjëherë ne nuk kemi thënë qe dëshirojmë shkëmbim territoresh. Kush këtu nga ju është kundër bashkimit të Preshevës. Po më vjen keq se si Serbia ka arritur që brenda kuvendit ta instaloj mendimin e saj”.

Time Kadriaj, deputete e AAK-së tha se qëllimi i Qeverisë është ta mbroj sovranitetin e vendit.

“Në platformë është përfshirë që duhet të respektohet territori, sovraniteti e pavarësia e vendit. Ne duhet të mbrojmë sovranitetin e vendit dhe ky është qëllim i qeverisë së Kosovës”.

Për deputetin e PDK-së, Ilmi Reqiça në dialog duhet të qëndrojnë bashkë përballë Serbisë, raporton Ekonomia Online.

“Është shumë e domosdoshme që ne ta përmbyllim sa më shpejt këtë çështje. Ne në dialog me Serbinë duhet të jemi të gjithë bashkë”.

Ndërkaq ai ka kërkuar nga kryetarja e komisionit dhe të gjithë anëtarët e komisionit që të jenë më kolegial me deputeten Evgjeni Thaçi

“Ndani çështjet familjare dhe politike”, tha ai.

Të ngjashme