Polici i arrestua për bixhoz u dekorua me mirënjohje gjatë kohës sa po hetohej nga IPK-ja

Prishtinë | 26 Kor 2020 | 18:16 | Nga Ekonomia Online

Vetëm një muaj më parë, Stacioni i Policisë së Kosovës në Gjakovë i kishe dhënë mirënjohje zyrtarit të saj policor i cili u arrestua sot për organizim të jashtëligjshëm të lojërave të bixhozit në Gjakovë.

Zyrtari policor Jashar Osdautaj është arrestuar për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm

Hetimi ndaj tij për këtë veprimtari të dyshimtë kishte nisur qysh para më shumë se dy muajsh, pasi kishin pranuar informacione se ai mund të jetë i përfshirë në aktivitete të kundërligjshme.

Por ndonëse zyrtari  policor Jashar Osdautaj ishte duke u hetuar nga Inspektorati Policor i Kosovës ai kishte marrë një mirënjohje nga Policia lidhur me një rast.

Mirënjohja i ishte ndarë atij me 26 qershor 2020, nga Drejtori i Policisë Rajonale të Gjakovës, kolonel Lumni Graishta, shkruan Reporteri.net.

Përveç Osdautajt, janë arrestuar edhe 3 persona të tjerë si të dyshuar për organizim të lojërave të fatit.

Osdautaj dhe të dyshuarit e tjerë janë arrestuar pasi është bastisur lokali në Gjakovë, ku po dyshohej se po organizoheshin këto lojëra.

Burime brenda Prokurorisë Themelore në Gjakovë kanë njoftuar se gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar një shumë e parave dhe një numër i madh i monedhave të pokerit që përdoren për lojërat e fatit.

Ndërkohë në mirënjohjen e dhënë nga Policia thuhet se ai dekorohet  për motivin e lartë dhe përkushtimin ndaj detyrës, demonstruar me datën 26. 06. 2020 me rastin e raportimit të veturës së vjedhur në zonën e përgjegjësisë së Drejtorisë Rajonale Ferizaj, por që falë vigjilencës dhe reagimit tuaj efikas është bërë i mundur identifikimi, gjetja e automjetit dhe arrestimi i personit të dyshuar.

“Drejtori Rajonal shprehë admirim dhe konsideratë të lartë për punën, angazhimin dhe rezultatet tuaja dhe iu inkurajon që në respekt të vlerave të larta të organizatës sonë dhe rolit të rëndësishëm të saj në ofrimin e sigurisë edhe në të ardhmen të mbani lar përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar në vazhdimësi”, shkruan në mirënjohje.

Të ngjashme