Policia arreston 14 persona, mbyll 17 qendra të masazhit e 15 lokale të muzikës live

Prishtinë | 25 Maj 2023 | 17:14 | Nga Ekonomia Online

Drejtoria për Hetimin e Trafilkimit me Njerëz e Policisë së Kosovës ka qenë pjesë e zbatimit të operacionit “Operation Chain”, i cili është zhvilluar njëkohësisht në 47 shtete të botës. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se për një javë ka zbatuar Planin Operativ “Stuhia 2023’, ku në këtë operacion kanë qenë të përfshirë 262 zyrtarë.

Në kuadër të këtij operacioni janë bërë operacione në rrugë, sheshe dhe qendra tregtare për identifikim e fëmijëve në rrugë.

Gjithashtu, në njoftimin për media është bërë e ditur se është bërë inspektimi dhe kontrollimi i lokaleve me muzikë live, qendrave të masazhit, si dhe kontroll të shtuara në të gjitha pikë-kalimet kufitare.

Si rezultat i këtij operacionit është bërë identifikimi i 3 viktimave të trafikimit, dhe i 11 viktimave të supozuara të trafikimit, të cilat janë referuar për shërbime dhe trajtim sipas procedurave.

Ndërkohë, janë arrestuar edhe 14 persona të dyshuar për veprën e trafikimit dhe veprave tjera që ndërlidhen me trafikimin e njerëzve.

“Referimi i 6 rasteve në stacione policore për armë-mbajtje pa leje, dëmtim të vulave zyrtare dhe hapje ilegale të lokaleve të mbyllura, – Inspektimi/kontrollimi i 55 lokaleve ‘Muzike Live’, në të cilat janë legjitimuar 377 punëtore, nga te cilët 275 të gjinisë femërore, 188 shtetas të huaj. Nga lokalet e kontrolluara, 15 janë mbyllur nga institucioni përkatës për shkelje administrative, – Inspektim i 51 ‘Qendrave të Masazhit’, në të cilat janë legjitimuar gjithsej 153 punëtore, nga të cilët 129 të gjinisë femërore dhe 33 shtetas të huaj. Prej këtyre ‘Qendrave Masazhi’, 17 janë mbyllur nga institucioni përkatës për shkelje administrative”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Të ngjashme