Policia e Kosovës jep 275 gjoba me pajisje inteligjente për shoferët që iu kanë skaduar regjistrimet e veturave

Prishtinë | 26 Sht 2023 | 14:08 | Nga Ekonomia Online

Policia rajonale e Ferizajt ka ndërrmarrë masa në identifikimin dhe ndëshkimin e shoferëve që drejtojnë automjetet me skadim të afatit të regjistrimit. Në kuadër të këtij aktiviteti policia me vetura inteligjente ka ndaluar dhe kontrolluar dhjetra automjete dhe për shkak të parregullësive të dokumenteve, skadimit të afatit të regjistrimit të mjetit, nga data 01-25/09/2023 ka shqiptuar 275 gjoba kundërvajtëse.

Policia do të vazhdojë me aktivitete të tilla edhe në ditët në vijim, ndërsa apelojmë tek drejtuesit e automjeteve që të respektojnë ligjin e komunikacionit rrugor, të pajisen me dokumentacion të rregullt dhe të regjistrojnë automjetet e tyre, siç e parasheh LIGJI Nr. 05/L-088 PËR RREGULLAT E TRAFIKUT RRUGOR:

‘’Neni 253, Regjistrimi i mjetit

  1. Polici do të largojë nga trafiku edhe mjetin që nuk është regjistruar apo që nuk ka targa të caktuara të regjistrimit ose që nuk i është nënshtruar në afat të caktuar kontrollit teknik të rregullt apo të jashtëzakonshëm, ose për të cilin mjet nuk është vazhduar vlefshmëria e certifikatës së regjistrimit të mjetit.
  2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëqind e pesëdhjetë (150) eurosh, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitën e këtij neni.
  3. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej dyqind (200) deri në gjashtëqind (600) euro, edhe personi juridik ose institucioni publik në emër të të cilit dhe brenda autorizimeve të të cilit ka vepruar personi i përcaktuar në paragrafin 2. të këtij neni.

Neni 254 Konfiskimi i targave

  1. Polici do t’ia marrë përkohësisht targat e regjistrimit mjetit të cilin e ka larguar nga trafiku.
  2. Polici i cili i ka marrë përkohësisht targat, e ka për detyrë t’ia kthejë ato shoferit kur të eliminohen shkaqet për shkak të të cilave janë marrë.
  3. Në qoftë se shoferi në afat prej tridhjetë (30) ditësh nuk i mënjanon shkaqet për shkak të të cilave mjeti është larguar nga trafiku dhe nuk i merr targat, ato i dërgohen organit i cili i ka lëshuar’’

Të ngjashme