Policia jep detaje për sulmin me bombë ndaj pjesëtarëve të FSK-së

Prishtinë | 26 Nën 2017 | 21:05 | Nga

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me shpërthimet me mjete eksploduese në shtëpitë e pjesëtarëve të FSK-së, në Zubin Potok.

Në njoftimin e policisë thuhet se sot rreth orës 02:00, në Zubin Potok, në dy shtëpi private, në dy lokacione të ndara janë regjistruar dy shpërthime me mjete eksploduese.

“Dëme materiale të konsiderueshme janë konsideruar në tri vetura private dhe dy shtëpitë e viktimave, meshkuj të përkatësisë etnike serbe, banor të komunës Zubin Potok, të punësuar në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa nuk është raportuar për të lënduar në njerëz”.

Njësitë policore menjëherë pas rastit thuhet se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore me qëllim të kontrollit më të detajuar të vendit të ngjarjes dhe lokacioneve përreth, si dhe me qëllim të identifikimit të kryesve të mundshëm lidhur me rastin e raportuar.

“Veç njësive të rregullta policore, hetuesit rajonalë, së bashku me teknikët e forensikës dhe njësitë e specializuara për identifikim të mjeteve eksploduese, kanë bërë shikimin e detajuar të vendit të ngjarjes, ndërsa kanë konfirmuar se bëhet fjalë për përdorim të mjeteve eksploduese, granatë dore, si dhe përdorim të mjetit ndezës të lëngshëm (me përmbajtje derivate nafte)”.

Prokurori i shtetit në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë është informuar lidhur me detajet e rastit dhe veprimet e ndërmarra, ndërsa ka urdhëruar inicim të rastit si vepër penale “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.

Deri më tani, nuk ka persona të raportuar të arrestuar ndërsa policia e Kosovës, është në kërkim të vazhdueshëm të mbledhjes së informatave të mundshme si dhe të arrestimit të personave të dyshuar.

Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Mitrovicë veri po ndërmerr të gjitha masat e domosdoshme si të nevojshme, për zbardhjen e këtij rasti, si dhe për të ofruar siguri maksimale qytetarëve të saj në fushën e rendit publik, ndërsa fton qytetarët të cilët mund të posedojnë ndonjë informacion të nevojshëm, të njoftojnë policinë e Kosovës, me qëllim të zbardhjes së këtij akti kriminal dhe krijimit të një ambienti të sigurt për të gjithë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme