Policia jep detaje për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, nuk ka të dyshuar

Prishtinë | 16 Jan 2018 | 11:09 | Nga

Përmes një komunikate për media Policia e Kosovës në veri të Mitrovicës ka njoftuar se rreth orës 08:10, në rrugën “Sutjeska”, është regjistruar një incident me armë zjarri, me ç’rast persona deri më tani të panjohur kanë shtënë në drejtim të Oliver Ivanoviq, i cili fillimisht është plagosur në afërsi të zyrës së tij të punës.

Më pas sipas Policisë viktima është dërguar në qendrën spitalore në veri të Mitrovicës për reanimim, ndërsa mjekët kujdestarë kanë konstatuar vdekjen e tij.

“Njësitë policore kanë dalë në vendngjarje ndërsa këqyrja e vendit të ngjarjes është në vazhdim e sipër. Në vendngjarje janë gjetur prova materiale të cilat do të përdoren në procedurën e mëtejme hetimore”, thuhet  në komunikatën e Policisë.

Policia ka njoftuar gjithashtu, se rreth orës 09:15, në rrugën “Vojvode Putnika” në, është lokalizuar një veturë private e markës “Opel Astra”, pa targa të regjistrimit, të cilës paraprakisht i ishte vënë zjarri, ndërsa dyshohet se mund të jetë e lidhur me rastin e vrasjes.

“Për të gjitha rrethanat e rastit dhe veprimet e ndërmarra të Policisë është informuar prokurori i Shtetit, i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, i cili ka dalë në vendngjarje. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbardhjen sa më parë të këtij rasti dhe sjelljen e personit/ave të dyshuar para organeve të drejtësisë”, thuhet më tej në komunikatën e Policisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme