Policia po monitoron në teren gjendjen rreth situatës me të reshurat e shiut

Prishtinë | 21 Jan 2023 | 15:58 | Nga Ekonomia Online

Derisa ende ka të reshura të dobëta shiu dhe prurjet e ujit në lumenj është më i lartë, angazhimet policore janë të vazhdueshme në monitorim, ndihmë qytetarëve dhe raportim për situatën në teren.

Sipas raportimeve të sotme, nivel më të shtuar të ujërave si pasojë e reshjeve të ditëve të fundit ka në pjesën veriore dhe veri-perëndimore të vendit.

Nga raportimet e rregullta që dërgohen nga njësitet policore nga tereni, sot probleme si pasojë e ujërave atmosferike ka në rajonin e Mitrovicës, përkatësisht në rrugën  Pestovë-Druare–Prelluzhe-Plemetin të komunës së Vushtrrisë dhe rrugët  ‘2 Korriku’ dhe ‘Hoxhë Hasan Tahsini’, në komunën e Mitrovicës Jugu dhe në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë Veri ku ka nivel të rritur të ujit.

Nga raportimet e fundit nga rajonet tjera nuk ka situata ku lumenjtë kanë dalë nga shtrati ose të ketë vërshime.

Policia apelon tek qytetarët që për çdo rast të kërkesave për ndihmë, të thërrasin në numrat përkatës të institucioneve si policia, AME, komunat përkatëse, apo zjarrfikësit.

Të ngjashme