Policia e Kosovës ka njoftuar se Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës është organi i vetëm kompetent brenda institucionit për pranimin, verifikimin, hetimin penal dhe procedimin e të gjitha informacioneve, kallëzimeve dhe rasteve që lidhen me krimet e luftës të kryera gjatë konfliktit në Kosovë në vitet 1998–1999.
Sipas njoftimit, drejtoria ushtron kompetencat e saj në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, duke trajtuar të gjitha informacionet relevante, pavarësisht burimit të tyre. Këto përfshijnë të dhënat e siguruara nga qytetarët, institucionet, organizatat, partnerët vendorë e ndërkombëtarë, si dhe informacionet e identifikuara nga burime të hapura dhe publike, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Policia thekson se, pas publikimeve të fundit në media lidhur me trajtimin e rasteve të krimeve të luftës, adresa zyrtare për paraqitjen e çdo informacioni, prove apo të dhëne mbetet Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës dhe Departamenti për Krime të Luftës në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Në të njëjtën kohë, Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale u kanë bërë thirrje qytetarëve, dëshmitarëve, viktimave, familjarëve të tyre dhe çdo personi që posedon informacione me rëndësi për hetimin e krimeve të luftës që t’i adresojnë ato pranë institucioneve kompetente. Sipas tyre, çdo informacion do të trajtohet me profesionalizëm, konfidencialitet dhe në përputhje me standardet ligjore.
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale ritheksojnë përkushtimin e tyre për bashkëpunim me qytetarët dhe institucionet, me synimin për zbardhjen e krimeve të luftës dhe vendosjen e drejtësisë.