Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po mban Kuvendin e VIII-të zgjedhor, ku i vetmi kandidat deri tash është kryeministri aktual dhe kryetari i vetëm i deritanishëm i kësaj partie, Ramush Haradinaj.
Hapja e Punimeve të Kuvendit është bërë me një minutë heshtje si nderim për babain e kryeministrit Ramush Haradinaj, Hilmi Haradinaj, i cili ndërroi jetë para pak ditësh, raporton Ekonomia Online.
Është formuar Kryesia e Punës, Komisioni Verifikues dhe Komisionit Votimit, i cili do të bëjë numërimin e votave të delegatëve.
Kuvendi po mbahet pas zgjedhjeve nëpër komunat e Kosovës, ku janë zgjedhur kryetarët e degëve, kryesitë, këshillat drejtues dhe delegatët që do të marrin pjesë në kuvendin e sotëm.
Smajl Latifi, kryetar i komisionit verifikues bëri të ditur se në sallë janë 529 delegatë, derisa mungojnë 58 delegatë. Ai konstatoi se ka kuorum të plotë për të zhvilluar me sukses punimet.