Ahmeti: VV është e vërteta, të tjerët janë rrenca

Suharekë | 03 Qer 2017 | 16:43 | Nga

Kryetari i Prishtinës dhe kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, ka thënë në një tubim në Therandë se në politikën kosovare ka vetëm një të vërtetë e ajo është Lëvizja Vetëvendosje.

Ndërsa të tjerët, sipas Ahmetit, janë, siç është shprehur ai, “rrenca”.

“Më kanë thënë që të mos u them rrenca po gënjeshtarë, por gënjeshtra po më duket e vogël, e rrena është e qëllimshme, me pasoja të mëdha dhe këta janë asgjë më shumë se rrenca të mëdhenj”, ka deklaruar Ahmeti.

“Pasuria është shtuar, por pasuria e tyre jo pasuria e shtetit e qytetarëve të Kosovës. Prandaj vetëm Vetëvendosja është e vërteta”.

“Vetëvendosje është e vetmja forcë politike që mund ta çojë Kosovën drejt zhvillimit e barazisë dhe të luftojë kundër krimit e ta inkuadrojë Kosovën në Bashkimin Europian”.

Ahmeti ka përqeshur premtimet e Avdulla Hotit të LDK-së se do ta rrisë buxhetin pesë miliardë euro dhe premtimet e Kadri Veselit të PDK-së, i cili deklaroi se do t’i pesëfishojë eksportet.

“Këta të tjerët ose janë matematikanë të dobët, ose rrenca të mëdhenj”, ka pohuar Ahmeti, duke shpjeguar se të tilla shifra janë matematikisht të pamundura.

Sipas Ahmetit dy koalicionet, PDK-AAK-Nisma e LDK-AKR, janë të ngjashme dhe se përfundojnë gjithmonë bashkë.

“Nëse një eksperiment e provon tre herë dhe përfundon me rezultate të njëjta, edhe herën e katërt rezultati do të jetë i njëjtë. LDK-ja tri herë ka shkuar me PDK-në, prandaj është e vështirë t’i besosh herën e katërt”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme