Dështimi i ligjit për investime strategjike lëkund koalicionin PDK-LDK

Prishtinë | 08 Kor 2016 | 12:29 | Nga

Dështimi i votimit të ligjit për investime strategjike në Kuvendin e Kosovës ka lëkundur themelet e koalicionit qeveritar PDK-LDK.

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa prej rreth gjashtë muajsh ka nisur hartimin e këtij projektligji, por në fund nuk ka arritur t’i bindë deputetët e koalicionit qeveritar që ta miratojnë, pasi shumica e deputetëve thanë se qeveria po përpiqet përmes këtij ligji të krijojë paqartësi në terren për pronat shtetërore.

Amendamenti 32 i cili dukej se kishte dualizëm të kompetencave mes Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendeve Komunale për dhënien e pronave shoqërore, bëri që shumica e deputetëve të koalicionit mos ta votojnë projektligjin.

Mungesa e votave për ta miratuar këtë ligj ka nervozuar ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, e cila e ka lëshuar seancën.

Por deputeti i PDK-së Nait Hasani tha se ministrja Bajrami dhe qeveria e Isa Mustafës nuk duhet të ikin, por duhet të vijnë në Kuvend e të japin sqarime pse e dështuan projektin e Brezovicës prej 400 milionë eurosh.

Edhe deputeti tjetër Shaip Muja i fajësoi deputetët e LDK-në dhe qeverinë Mustafa të cilët sipas tij kanë sjellë një ligj të dobët në Kuvend dhe nuk kanë arritur ta bindin as publikun e as deputetët.

Mungesa e votave të koalicionit për projektligjin e qeverisë i ka shtyrë disa deputetët si Besa Gaxherri e Melihate Tërmkolli që të kërkojnë nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, si kryetar i partisë më të madhe në vend, që të konsultohet me partnerët e koalicionit dhe të sigurojë qëndrueshmëri të shumicës parlamentare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme