Haradinaj: Për Ushtrinë s’kemi biseduar kurrë me Listën Serbe

Prishtinë | 05 Jan 2018 | 15:06 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se temën e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri nuk e ka hapur asnjëherë me Listën Serbe.

Ai i bëri komentet gjatë një vizite në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), ku u takua me ministrin Nenad Rikalo.

Duke iu përgjigjur interesimit të Ekonomia Online, kryeministri tha se kur e kanë bërë koalicionin qeverisës me Listën Serbe, por as më vonë, nuk e kanë diskutuar çështjen e formimit të Ushtrisë së Kosovës, e cila duhet të bëhet me ndryshime kushtetuese që kërkojnë shumicë të dyfishtë në Kuvend.

“Kur është bërë koalicioni me PDK-në nuk kemi folur për demarkacionin. Qëndrimet i kemi të ndara. Po ashtu edhe temën e ushtrisë s’e kemi pasë të diskutume me listën serbe. Ajo ekziston si temë, por s’kemi bisedë për këtë temë me Listën Serbe”, tha Haradinaj.

Ndërsa lidhur me iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale dhe reagimin e shteteve të Quint-it, Haradinaj nuk deshi të komentojë me arsyetimin se ky takim ishte për bujësinë.

Duke folur pas takimit me ministrin e tij, Rikalo, që zgjati më shumë se një orë e gjysmë, Haradinaj tha se Ministria e Bujqësisë do të ketë mbështetjen e tij.

Haradinaj theksoi se Ministria e Bujqësisë është e rëndësishme e cila ka një buxhet prej 48 milionë eurosh për grante dhe 8 milionë për subvencione për fermerët.

“Të gjitha këto subvencione dhe grante do të ishte mirë që të shpërndahen në mënyrë të drejtë tek fermerët”, tha Haradinaj.

“Ishte takim pune me Ministrinë e Bujqësisë. Është me kjo ministri që ka nën menaxhim krejt resurset që janë në bujqësi, pylltari dhe ka një buxhet që i dedikohet fermerëve 48 milionë grante dhe 8 milionë në infrastrukturë. Ministri që po e merr përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë, donatorëve”, u shpreh Haradinaj.

“E falënderoj ministrin për angazhim në punë, për një punë që e bëjnë që subvencionet me u shpërnda në mënyrë të drejtë. Kemi marrë zotimin se Qeveria dhe MBPZhR-ja do ta ruajnë fokusimin të fermerët dhe bujqit”.

Të ngjashme