Kuvendi nuk i penalizon deputetët ‘përtacë’

Prishtinë | 19 Maj 2018 | 08:53 | Nga

Deputetët e Kuvendit të Kosovës vazhdojnë të mungojnë në seanca parlamentare, pasi nuk ka penalizime për mungesat e tyre.

Madje as rregullorja e re e Kuvendit, që është duke u përgatitur, nuk pritet t’i sanksionojë deputetët “përtacë”, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Në legjislaturën e gjashtë të Kuvendit të Kosovës deputetët kanë krijuar një praktikë të re, ku përpos mungesave të vazhdueshme në seanca parlamentare disa prej tyre edhe kur vijnë në Kuvend nuk marrin pjesë në votime. Por vetë deputetët thonë se arsyeja kryesore e këtij problemi është Rregullorja e Punës së Kuvendit, e cila nuk sanksionon deputetët të cilët mungojnë nëpër seanca. Sipas tyre, ky problem do të duhej të rregullohej përmes rishikimit të kësaj rregulloreje.

Nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti, duke folur për mungesën e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se kjo dukuri duhet të rregullohet përmes rregullave të Kuvendit, por që shprehet pesimist mbi atë se rregullorja e re e Kuvendit do të mundë të rregullojë këtë gjë.

“Ne e kemi bërë një projekt të rregullores që nuk i plotëson absolutisht standardet që kanë rregulloret e parlamenteve evropiane. Kjo rregullore është një formalitet, do të thosha për t’i rregulluar më shumë disa çështje të tjera sesa për mbarëvajtjen e punëve në Kuvend. Ne kemi problem, sepse kemi shumë demokraci dhe askush nuk jep llogari”, ka theksuar ai.

Nga 52 seanca sa janë mbajtur gjithsej në këtë legjislaturë, Xhavit Haliti ka marrë pjesë në 42 prej tyre apo 81%.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme