Pacolli fton BE-në ta disiplinojë Serbinë pas provokimit që i bëri Kosovës në Samitin në Beograd

Prishtinë | 05 Pri 2019 | 11:29 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zv.kryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se në samitin e mbajtur në Beograd për heqjen e roamingut ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimore, Serbia ka provokuar Kosovën. Në një konferencë për medie, Pacolli ka ftuar BE-në që të sqarojë pozicionin e vet ndaj provokimeve të tilla, raporton Ekonomia Online.

“Jam i shqetësuar me ngjarjen e sotme nën organizim të BE-së, të Samitit Digjital të vendeve perëndimore, që po mbahet në Beograd për nënshkrimin e roamingut. Por, në një panel të posaçëm diskutimesh të nivelit të 137 ministrave të gjashtë vendeve të Ballkanit  Perëndimor ndodh diçka e papritur. Edhe në këtë rast Serbia duke thyer secilën marrëveshje sot ka provokuar në mënyrë organizative duke thyer çdo rregull te ministrat perëndimor”, tha Pacolli.

Ai ka folur për ngjarjen që ka ndodhur sot, duke thënë se këto provokime janë kundër Pavarësisë së Kosovës.

“Gjatë këtij sesioni organizatorët ndalojnë mikrofonat dhe i kalojën fjalën dikujt nga publiku. Aty koncentrohen të gjitha kamerat dhe në monitorët prapa panelistëve del teksti që ai person e lexon. Kanë qenë tekste destruktive, shoviniste. Ne nuk mund t’i pranojmë ato kurrsesi dhe kanë qenë tekste kundër Republikës së Kosovës, kundër Pavarësisë së Kosovës. Një gjë e tillë nuk lejohet”, tha Pacolli.

Ai ka ftuar Bashkimin Evropian që të reagojë në këtë rast në mënyrë që Serbia të disiplinohet.

“Ftojmë BE-në që ta disiplinojë Serbinë në të ardhmen përndryshe Kosova nuk mund të jetë partnere, prezenca në konferenca të këtij lloji. Ftojmë edhe një herë BE-në të sqarojë pozicionin e vet ndaj këtyre agresioneve të cilat i ndodhin Kosovës pothuajse çdo ditë”, tha Pacolli, raporton EO.

Ai foli edhe për vizitën në kontinentin afrikan.

“Ai tha se me punë të pandërprerë diplomatike, shtetet afrikane mund të kthehen në mbështetëse të proceseve të rëndësishme të afirmimit ndërkombëtar të Kosovës. Është koha që marrëdhëniet me vendet e tjera t’i shohim si një aktivitet të përditshëm. Një nga aktivitetet e mia më të rëndësishme është thellimi i komunikimit dhe marrëdhënieve diplomatike me të gjitha shtetet, përfshirë organizatat multilaterale”, tha Pacolli.

Pacolli: Jemi në bisedime me 5 shtete të rëndësishme që nuk e kanë njohur ende Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka treguar se janë duke diskutuar edhe më 5 vendet e rëndësishme  të cilat ende se kanë njohur Kosovën.

” Kosova ka nevojë për miq dhe partneriteti me shtete e botës është i rëndësishëm. Në Afrikë kemi 54 shtete dhe nëse bëhet fjalë për votat këto janë dominuese. Shteti i Afrikës ekonimikisht është mjaft i rëndësishëm për Kosovë. Lidhur më 5 shtete e tjera ju garantoj që kemi takime me Spanjën dhe Sllovakinë, nesër kam takim më ministrin e këtij shteti. Më Rumaninë kemi marrëdhënie të mira dhe jemi në një momentum të favorshëm për Kosovën. Më Greqinë kemi marrëdhënie të mira, por taksa e ka vështirësuar pak çështjen pasi që siç kemi informata shumë produkte shkojnë në Greqi dhe pastaj vinë në Kosovë. Greqia herë e mbështet herë jo Kosovën. Nuk kemi kontakte të mira më Qipron. Besoj që këto shtet një ditë ta njohin Kosovën ani pse është vështirë. Na jemi duke punuar në këtë drejtim”, tha Pacolli.

“Lobimi nuk është një gjë e cila ti shkon dhe e kryen menjëherë. Në Kenia kam qenë 20 herë deri tash, edhe si deputet.  Besoj se sot mund të them se kemi arrit në nivel kogja të mirë që ky shtet ta njeh Kosovën. Kishim vizita interesante para 10 ditësh këtu. Jemi duke punuar por është një proces që zgjatë. Bota është ndarë në interesa gjeopolitike”.

“Deri në 2009-2010 nuk ka qenë shumë e theksuar tani është dominimi kinez. Rusia ka një influencë jashtëzakonisht të madhe strategjike dhe domeni i tyre është mbrojtja. Atyre nuk u mungojnë mjetet që të investojnë në këtë drejtim dhe këto e kanë komplikuar pak situatën. Një fakt tjetër se shtetet që kanë dashtë me njohtë Kosovën e kanë njohtë”, tha Pacolli.

Të ngjashme