Pacolli në samitin e Frankofonisë kërkon mbështetje për anëtarësimin në Interpol

Prishtinë | 10 Tet 2018 | 19:45 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, në adresimin e tij para Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë i ka kërkuar homologëve të tij mbështetjen e kandidaturës së Kosovës për t’u bërë anëtare e plotë dhe e barabartë e INTERPOL-it, në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj Organizate, që do të mbahet në muajin nëntor në Dubai.

“Të dashur kolegë, më lejoni t’ju informojë, që këtë vit, Kosova ka kandiduar për t’u bërë anëtare e Interpolit dhe vendimi përfundimtar do merret në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit në Dubai, në muajin nëntor. Ju e dini rëndësinë e kësaj organizate, kështu që ju ftoj, të dashur miq, të votoni për Kosovën në Interpol”, ka thënë Ministri Pacolli.

Sipas një komunikate për medie nga kjo ministri, në vazhdim të adresimit të tij, Pacolli ka falënderuar nikoqirët e Konferencës për pritjen, ndërkohë që ka referuar në lidhje me bashkëpunimin e deritanishëm të Republikës së Kosovës me Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë.

“Që nga anëtarësimi i Kosovës si anëtar vëzhgues në vitin 2014 në Samitin e Frankofonisë në Dakar, Kosova ka bërë përpjekje të shumta për promovimin e gjuhës frënge dhe Frankofonisë. Bashkëpunime të reja dhe të rëndësishme janë krijuar në nivel universitar, sidomos pas anëtarësimit të Universitetit të Prishtinës në Agjencinë Universitare Frankofone. Më tej, Kuvendi i Kosovës i është bashkuar këtë vit Asamblesë Parlamentare Frankofone, gjë që do kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet deputetëve kosovarë dhe deputetëve të vendeve tjera frankofone në çështje të interesit të përbashkët për rajonin tonë, siç janë zhvillimi dhe promovimi i vlerave të demokracisë, paqes dhe diversitetit kulturor e linguistik”, është shprehur ministri Pacolli.

“Në këtë kontekst, institucionet e Kosovës janë tërësisht të angazhuara në avancimin e agjendës frankofone në vend dhe integrimin e institucioneve ndërkombëtare frankofone, që do i shërbenin drejtpërdrejtë rinisë së Kosovës, duke i ofruar mundësi të reja për shkëmbim sa i përket arsimit dhe kulturës, por edhe sa i përket zhvillimit të projekteve frankofone të ndërmarrësisë dhe krijimtarisë në gjuhën frënge”, ka thënë Ministri i Jashtëm Pacolli.

Të ngjashme