Zyrtarët e KKZ-së në veri po refuzojnë të shkojnë në punë, shkak siguria

Prishtinë | 08 Dhj 2022 | 15:57 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zyrtarët e Komisionit Komunal Zgjedhor në katër komunat veriore të Kosovës, po refuzojnë që të shkojnë në vendet e punës, raporton Ekonomia Online. 

Kështu ka thënë Burim Ahmetaj nga Sekretariati i KQZ-së, duke sqaruar se shkak është siguria.

“Nga këto takime kemi deklarimin e KKZ-ve për Komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok se e kanë të pamundur të veprojnë në një objekt ku menaxhohet nga struktura jo të komunës. Po ashtu sipas deklarimit të anëtarëve të KKZ-së, ata nuk do të shkojnë në asnjë mënyrë në zyre, pasi kanë deklaruar se në pyetje është siguria fizike”.

“Ndërsa zyrtarët e KKZ nga Zveçani kanë deklaruar se edhe me përcjelljen e Policisë në këto rrethana refuzojnë të shkojnë për të punuar”, tha tutje Ahmetaj.

“Në Zveçan objekti i KKZ është i mbyllur i tërësisht ndërsa në Mitrovicë të Veriut është e demoluar tërësisht. Zyrtart kanë thënë se në objektet e komunave repsektive është pamundur të punohet, për shkak të situatës së krijuar atje”, tha tutje Ahmetaj.

E refuzimi i kryerjes së detyrës nga zyrtarët komunal të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, po konsiderohet absurde për anëtarin e KQZ-së nga VV-ja, Sami Kurteshi.

“Po refuzimi i punëtorëve të KKZ është i paarsyeshëm. Punëtorët që kanë kontratë të rregullt dhe me thënë nuk shkoj, është absurde”, tha ai.

Ndërsa Ilir Gashi nga PDK, tha se anëtarët që po refuzojnë ta kryejnë punën e tyre janë të subjekteve politike e jo të KQZ-së.

“E dëgjova më vëmendje kryeshefin por një gjë duhet ta bëjmë të qartë se zyrtarët e KKZ nuk e kanë refuzuar punën por zyrtarët e partive dhe jo ata që janë punëtorë të KQZ-së”, tha Gashi.

Në fund, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për certifikimin e listës përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, të cilat do të mbahen më 18 dhjetor 2022.

Kjo listë votuese përmban 44 mijë e 939 emra të votuesve apo 1,189 votues më shumë në krahasim me Zgjedhjet Lokale 2021. Votuesit janë të shpërndarë në 44 qendra të votimit me gjithsej 74 vendvotime.

Të ngjashme