Presidentja Osmani për takimin me partitë: Kosova ka nevojë sa më parë për Kuvend

Prishtinë | 14 Maj 2025 | 19:06 | Nga Ekonomia Online

Presidentja Vjosa Osmani tha se takimi konsultativ me partitë politike, i thirrur për nesër, synon të gjejë zgjidhje për ngërçin politik dhe të shmangë pasojat e moskonstituimit të Kuvendit, raporton Ekonomia Online.

Në konferencën për media me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, presidentja Osmani tha se ky është vetëm fillimi i një serie takimesh që mund të zhvillohen edhe në formate të tjera.
Sipas saj, mosfunksionimi i Kuvendit rrezikon institucionet dhe dëmton projekte të rëndësishme për vendin, përfshirë ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

“I falënderoj liderët e partive politike që janë përgjigjur pozitivisht. Ky është vetëm fillimi i një serie takimesh. Ne do të vazhdojmë varësisht si shkojnë nesër takimet, do të vazhdojmë, qoftë në atë format apo formate të ngjashme apo takime një nga një me partitë politike. Si institucion i Presidencës jemi në zbatim kushtetues. Sipas ligjit, moskonstituimi i Kuvendit e rrezikon funksionimin kushtetues të institucioneve dhe kjo është arsyeja pse i kam thirrur liderët që të diskutojmë rrugët përpara. Nuk do të paragjykoj tani për rezultatet. Shpresoj që të angazhohen duke vënë parësor interesin e vendit dhe kur ndodh rezultatet janë pozitive. Kosova ka nevojë sa më parë për Kuvend, në qoftë se për asgjë tjetër, për atë që e diskutuam me Costan, në mënyrë që të ketë vendim të Kuvendit të Kosovës sa i përket Planit të Rritjes, por ka edhe shumë marrëveshje ndërkombëtare. Nëse nuk ratifikohen së shpejti pëson Kosova, shteti dhe qytetarët tanë”, tha presidentja Osmani.

Të ngjashme