Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Australisë, Richard Rodgers

Prishtinë | 06 Qer 2023 | 15:20 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori jorezident i Australisë, Richard Rodgers, të cilin e ka uruar për detyrën dhe ka shfaqur shpresën se gjatë mandatit të tij do të intensifikohen edhe më tej marrëdhëniet bilaterale në mes të dy vendeve tona.

Presidentja Osmani ka falënderuar Australinë për mbështetjen e palëkundur për Kosovën përgjatë viteve, duke potencuar rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së mëtejme në rrugën drejt anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe forcimit të pozitës sonë ndërkombëtare.

Në raport me zhvillimet aktuale politike dhe të sigurisë, Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Republikës vazhdojnë të jenë të përkushtuara për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajon dhe Evropë. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka folur mbi rëndësinë e bashkëpunimit në mes të shteteve demokratike dhe paqedashëse për t’i kundërshtuar përpjekjet e vazhdueshme të forcave keqdashëse jodemokratike.

Presidentja Osmani potencoi se Australia ka qenë dhe mbetet një shtet mik dhe aleat strategjik i Kosovës. Me ambasadorin Rodgers u dakorduan për koordinim të ngushtë drejt hapjes së kapitujve të rinj të bashkëpunimit, përfshirë edhe projektet e përbashkëta për fuqizimin e grave dhe vajzave, dhe projekte tjera të interesit të dyanshëm.

Të ngjashme