Preu ilegalisht pyellin në Viti, dënohet me 250 euro gjobë me kusht i akuzuari

Prishtinë | 24 Jan 2022 | 13:34 | Nga Ekonomia Online

Me 250 euro gjobë me kusht është dënuar N.K, i cili e ka pranuar se në vazhdimësi ka prerë trungje të llojit “Ah” dhe “Shkozë”, në fshatin Goshicë të Vitisë.

Aktgjykimi është shpallur të hënën në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, nga gjykatësja Drane Simani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja bëri të ditur se në periudhën e verifikimit prej një viti, i akuzuari nuk duhet të kryejë vepër tjetër penale.

Krahas kësaj, N.K është i obliguar edhe me shpenzimet procedurale dhe atë me 30 euro për paushallin gjyqësor.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, ka bërë bashkimin e dy lëndëve me qëllim të ekonomizimit të procedurës, meqenëse ka të bëjë me një të akuzuar, i cili ngarkohet për të njëjta vepra penale.

Sipas aktakuzës së parë, të ngritur më 9 tetor 2019, N.K, akuzohet se më 17 korrik 2019, rreth orës 14:30 min, në terrenin e fshatit Goshicë, Komuna e Vitisë, në vendin e quajtur “Kodra e Demëve” të administruar nga Autoriteti Pyjor Komunal, zyra në Viti, i pandehuri N.K, me qëllim vjedhje, ka prerë në mënyrë të palejueshme me sharrë motorike 23 trungje të llojit shkozë, me diameter 16-18 cm, në lartësi 17,5 cm, në lartësi 12 cm, me vëllim të përgjithshëm prej 3,50 m2.

Ai akuzohej se me këto veprime, APK-së në Viti, i ka shkaktuar dëm material në shumën prej 442 euro.

Me këto veprime, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “vjedhje pylli”, nga neni 349 paragrafi 1 të KPRK-së

Ndërsa, sipas aktakuzës së dytë të ngritur më 15 janar 2021, N.K, akuzohet se më 10 shtator 2020, rreth orës 12:40 minuta, në territorin e fshatit Goshicë, Komuna e Vitisë, në pyllin e pronës shtetërore, në vendin e quajtur “Kodra e Demës”, i pandehuri, me qëllim vjedhje, me sharrë motorike, ka prerë 24 copë trungje të njoma, të lloit “Ah” dhe , “Shkoze”, me diametër në cung 16-18 cm, në lartësi të drurit 17.5 cm, me gjatësi 12 m, si dhe me vëllim të përgjithshëm prej 3.65 m3, të cilat dru i pandehuri i ka bartë me traktor të markës “MT” 539 me ram.

Me ç’rast, ai akuzohej se APK-së në Viti, i ka shkaktuar dëm material në shumën prej 493 euro.

Me këto veprime, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “vjedhje pylli”, nga neni 349 paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme