Kolegji UBT ka shkollën më të madhe të gazetarisë dhe komunikimit në nivelin bachelor dhe master, akredituar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim, departament i cili është më i kompletuari në vend dhe rajon për studime në këto fusha.
Studentët e këtij fakulteti praktikojnë komunikimin strategjik, raportojnë, shkruajnë të gjitha llojet e lajmeve, teksa shumë prej tyre janë kyçur edhe në industrinë mediale.
Dekani i Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, Ferid Selimi ka thënë se kurrikula e fakultetit përbëhet nga një gamë e gjerë e lëndëve, përfshirë lëndët për studimet e gazetarisë dhe median digjitale.
Duke folur për mundësitë që ofron UBT-ja, Selimi tha studentët duhet të zgjedhin këtë drejtim dhe këtë institucion të arsimit të lartë për të studiuar, ngaqë siç tha ai, ka shumë të veçanta. Sipas tij, programi master ofron dy specializime: Komunikimi Politik dhe Korporatat dhe Mediat Digjitale dhe Komunikim, specializime të cilat, sipas tij, janë të vetmet e këtij lloji në vend.
Derisa, ai tregoi se edhe në programin bachelor, ofrohen specializimet me shumë përparësi: Gazetari, Komunikim, Menaxhim i Medias, Marrëdhënie me Publikun, Regji Televizive, Gazetari On-Line, Kamerë dhe Fotografi.
“Këto janë dy specializime të përzgjedhura, shumë të nevojshme dhe të kërkuara në shoqërinë tonë e në rajon, e që, studentët që përzgjedhin UBT-në do të jenë të parët të specializuar në këtë drejtim”, ka treguar Selimi.
Tutje, ai ka thënë se mësimdhënia në këtë fakultet ofrohet nga një kombinim i studiuesve të medias dhe të komunikimit, si dhe, praktikuesit e industrisë të cilët janë pjesë e kompanive kryesore të medias.
“Përderisa Institucionet e tjera të Arsimit të lartë përqendrohen vetëm në gazetari, UBT ka një program më të gjerë studimi në Media dhe Komunikim dhe përqendrohet në të dyja. Që nënkupton, studentët e UBT-së do të përgatiten për të punuar në media dhe në institucione ku jo vetëm aftësia e të shkruarit a e të informuarit por edhe aftësia e komunikimit është e domosdoshme”, tha Selimi, duke treguar se objektet që UBT i posedon janë të jashtëzakonshme dhe përfshijnë një sferë hapësirash fleksibile të mësimdhënies. Ato përbëhen nga salla të medias, studiot e radios, televizionit etj.
Shumë të diplomuar në UBT, aktualisht mbajnë rol kyç në industrinë e mediave dhe fushave të përafërta, teksa shumë prej tyre ende pa përfunduar studimet themelore punësohen dhe praktikojnë profesionin si gazetarë, moderatorë, kameramanë, montazherë, zyrtarë për marrëdhënie me publikun, si dhe punojnë edhe në anën teknike të mediave.