Prokuroria kërkon paraburgimin e djemve të Shaban Sylës për vrasjen e Qamil Demirit

Prishtinë | 27 Gus 2020 | 15:16 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Prishtinë po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, që Leotrim e Altion Sylës tu caktohet masa e paraburgimit, si të dyshuar për vrasjen e tani të ndjerit Qamil Demiri.

Në kërkesën për caktimin e paraburgimit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Leotrim  Syla, me 22 gusht 2020, rreth orës 18:20, në bashkëkryerje me Altion Sylën, Ilaz Sylën që gjendet në arrati dhe të miturin A.S, në fshatin Nekoc, Komuna e Gllogocit, derisa Mërgim Demiri ishte duke qarkulluar me kamion “Renault”, të mbushur me dhe, afër shtëpisë së tij dhe nga prapa kanë qenë në veturë “VW Golf II”, dy të dyshuarit Altion dhe i mituri A.S, ku që të dy dalin nga vetura duke shkuar në drejtim të vozitësit të kamionit.

Këtë të fundit thuhet se e nxjerrin me dhunë nga kamioni dhe fillojnë ta godasin duke e shtrirë për tokë, ku pas kësaj, të njëjtit largohen për tu kthyer në vendin e ngjarjes me dy vetura “Golf II” dhe veturën “Volvo”, në të cilin ishin Leotrim Syla, i mituri A.S dhe NN personi të armatosur me armën AK-47, për të cilën kanë përdor edhe mjete të mprehta si skallper.

Tutje, thuhet se takohen me viktimat Mërgim Demirin, Malor, Qamil dhe Halil Demirin, ku të dyshuarit fillojnë t’i sulmojnë viktimat me mjete të mprehta si skallper, e tjerë. Ndërsa, i dyshuari Leotrim Syla thuhet se përdor armën e zjarrit AK-47, me qëllim godet viktimën Qamil Demiri, në kofshën e këmbës së djathtë dhe në këmbën e majtë për ta privuar nga jeta me paramendim, ku si pasojë e plagëve të marra,  Qamil Demiri ndërron jetë me të njëjtën datë në orën 19:17, në QKUK në Prishtinë.

Me këtë në kërkesë të paraburgimit thuhet se Leotrim, Altion dhe Ilaz Syla që gjendet në arrati kishin për të kryer veprën penale “vrasja e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Tutje, thuhet se tre të lartcekurit, si në dispozitivin e parë në bashkëkryerje me dashje kishin përdorur mjete të mprehta si skallperin, me qëllim që t’i privojnë nga jeta të dëmtuarit Halil, Mërgim dhe Malor Demirin, duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore për të cilat edhe kishin kërkuar tretman mjekësor në QKUK në Prishtinë.

Me këtë thuhet se kishin për të kryer veprën penale “vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, lidhur me nenin 28 dhe me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas kësaj kërkesë, Leotrim Syla në kohë të pacaktuar ka mbajtur në posedim kundërligjshëm armën AK-47, me të cilën armë edhe kishte privuar nga jeta tani të ndjerin, Qamil Demiri.

Me këtë thuhet se kishte për të kryer veprën penale “mbajtja në kontroll, posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas prokurorisë, kushti i parë nga neni 165, paragrafi 2, nën paragrafi 2.3 dhe 2.4 të KPPK-së janë përmbushur me faktin se ekzistimi i dyshimit të bazuar se të pandehurit Leotrim dhe Altion Syla kanë kryer veprën penale të lartcekur, që argumentohet me nxjerrjen e aktvendimit për fillim të hetimeve nga kjo prokurori, ku është përshkruar koha, vendi dhe mënyra e kryerjes së veprave të dyshuara penale nga të pandehurit.

Të ngjashme