Prokuroria konfirmon hetimet ndaj ministres Gërvalla

Prishtinë | 26 Tet 2022 | 14:55 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria ka nisur hetimet ndaj ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, për mos deklarim të pasurisë.

Lajmin për Paparacin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laurtea Ulaj.

“Referuar pyetjeve tuaja, lidhur me kallëzimin penal kundër D.G., në drejtim të veprës penale ‘Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’, iu njoftojmë se rasti është në fazën e hetimeve” ka thënë Ulaj.

Ndryshe, Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka konfirmuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm për vepër penale të natyrës korruptive ndaj ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Informacionet për mos deklarimin e disa funksioneve të ministres Gërvalla, Kundër-Korrupsioni i kishte pranuar që në tetor të vitit të kaluar. Që nga ajo periudhë kohore deri në shtator të këtij viti, rasti ndodhej në fazë hetimore.

Siç kishte raportuar Betimi për Drejtësi vitin e kaluar, ministrja Gërvalla nuk i kishte deklaruar dy pozita – një në biznesin e saj në Gjermani dhe tjetrin në një OJQ në Kosovë – dhe as nuk ka treguar për pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj në deklarimin që ka bërë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).

Zëvendëskryeministrja figuronte si udhëheqëse e një biznesi në Gjermani dhe mbante funksionin e drejtoreshës ekzekutive.

Ajo figuronte se është drejtoreshë ekzekutive në “ALBLINGUA UG”, organizatë kjo që ofron shërbime në lidhje me gjuhën shqipe dhe shërbime tjera gjuhësore, si dhe zhvillimin e aftësive për zonën kombëtare dhe ndërkombëtare.

Donika Gërvalla kishte edhe një pozitë tjetër në një OJQ. Në fondacionin “Jusuf Gërvalla”. Aty figuronte se ushtronte funksionin e drejtoreshës dhe përfaqësues së autorizuar.

Veç kësaj, zëvendëskryeministrja dyshohet se nuk ka deklaruar pasuri të bashkëshortit dhe as të anëtarëve të tjerë të familjes.

Në deklarimin e pasurisë që e ka bërë më 22 prill të vitit të kaluar në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), Gërvalla kishte njoftuar vetëm funksionin e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zëvendëskryeministres.

Nga këto pozita, ajo kishte deklaruar të ardhura 1 mijë e 222 euro në muaj. Kishte deklaruar se nga institucionet gjyqësore gjermane ka pranuar të hyra prej 27 mijë eurosh.

Donika Gërvalla është emëruar në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës më 22 mars të këtij viti. Ajo kishte marrë 71 mijë e 722 vota në listën e Lëvizjes Vetëvendosje ku kishte shkuar bashkë me disa zyrtarë tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Rasti për të cilin dyshohet kryediplomatja ndërlidhet me mosdeklarimin e dy funksioneve të saja në një biznes privat në Gjermani, si dhe në një organizatë jo-qeveritare në Kosovë. /Paparaci.com

Të ngjashme