Promovohet libri “Elektroteknika” botuar nga UBT-ja

Prishtinë | 19 Jan 2017 | 15:24 | Nga

“Elektroteknika” është titulli i librit i profesor Lutfi Bina, i cili u promovua sot në Kolegjin UBT.

Libri është botuar nga UBT dhe përmban baza teorike dhe praktike të elektroteknikës.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin së bashku me autorin e librit, Lutfi Bina, dhe rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi; profesorë të tjerë, studentë etj.

Prof. dr. Edmond Hajrizi, në fjalën e tij, tha se UBT-ja ka mbi 10 mijë studentë aktivë dhe pjesa më e madhe e tyre janë orientuar në fushën e inxhinierisë, shkencave kompjuterike dhe mekatronikës, të cilët pjesën bazike të studimeve e kanë mbi elektroteknikën.

“Meqë studimet në UBT kryesisht zhvillohen në gjuhën shqipe, ka nevoja dhe kërkesa për një literaturë të tillë, prandaj, UBT ofron mundësi për studentët e tyre që të kenë literaturë në gjuhën shqipe”, theksoi Hajrizi.

Më tutje, ai shtoi se profesori Lutfi Bina ka bërë një punë të madhe, duke konkretizuar idenë dhe strukturën përmbajtjesore, dhe premtoi që UBT nuk do të ndalet së botuari dhe së afirmuari autorë të ndryshëm. “UBT, si gjithnjë është e gatshme për të përkrahur botimin e veprave të tilla, që Kosova dhe studentët kanë nevojë”.

Referuesi i dytë në këtë promovim, prof. dr. Ylber Limani, në fjalën e tij tha se kur flitet në cilësi të inxhinierit është kënaqësi e veçantë kur sheh që kolegu bën një transformim të dijes dhe sjell në pah atë që njerëzit do të përdorin më tutje për të përmirësuar kualitetin e jetës së tyre dhe të shoqërisë. “Libri i profesorit Lutfi është një kontribut i drejtpërdrejtë në botën e shkencës dhe të kulturës.” Prof. dr. Ylber Limani theksoi se ky libër shfaq kontribut të madh në fakultetin e mekatronikës, i cili është fakulteti i vetëm dhe më i suksesshmi në regjion”.

Autori i librit, prof. dr. Lutfi Bina, fjalimin e tij e nisi me thënien se rusët ishin ata që bënin më shumë teori, ndërsa amerikanët më shumë praktikë. “Përvoja ime në prodhim dhe në industri më dha komoditet që të shprehem dhe të ndaj raste të ndryshme prej industrisë ku përfshihen lëmenjtë, si: mekanika, pneumatika, teknika, elektronika, matematika, etj. Duke u mbështetur në faktin se në UBT dominon atmosfera e punës praktike, dhe duke iu përshtatur teorisë për të dhënë kontribut maksimal në industri, vendosa të shkruaj librin Elektroteknika”.

Ai uroj që studentët, inxhinierët dhe teknikët ta gëzojnë këtë libër, i cili sipas tij, “është shumë i afërt me pjesën e praktikës, gjë që i bën më të aftë për tregun e punës”.

Kolegji UBT ka botuar rreth 50 libra të tjerë të autorëve kosovarë, kryesisht mësimdhënës në UBT, ndërsa Biblioteka e UBT-së ka mbi 200 mijë libra të autorëve të ndryshëm botërorë, dhe kjo bibliotekë edhe më tutje vazhdon të pasurohet me tituj të rinj shkencorë.

Image may contain: 2 people, suit and text

Image may contain: one or more people and indoor

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme